Albert Vataj: Veshje zadrimore, harmonia e ngjyrave dhe finesës, klasit dhe bukurisë

Etnosi ynë është sa i larmishëm aq dhe i pasur. Veshjet tradicionale jo vetëm shprehin përcaktimin krahinor, por edhe shpirtin. Në to janë derdhura si në memuar, fantazia dhe kodika, njëmendësia e zanafillës së ekzistencës sonë, shënjimi dhe simbolika, krejtato në trajtën e një sinjalistike të rrugëtimit tonë përgjatë ekzsitencës.
Veshjet popullore, janë pa dyshim një nga manifestimet më të fuqishme të kulturës tradicionale. Ato janë trashëguese e transmetuese të shumë elementëve, që vijnë nga lashtësia dhe nga koha e mesme, por janë njëkohësisht edhe shprehje e marrëdhënieve kulturore me popuj të tjerë gjatë shekujve.
Folku shqiptar, në të gjithë komponentët e vet jetëshkruan nëpërmjet larmisë dhe ngjyrave, formave dhe përbërjes, rrugëtimin tonë në kaplimin e vlerave dhe atributeve të patëdyta që mëtojnë identitetin kombëtar shqiptar.
Kjo përkatësi gjeografike që përfshin Shkodrën dhe Lezhën e manifeston më së miri ruajtjen me fanatizëm ndër breza të kulturës dhe traditës Shqiptare , veçanërisht me veshjet e saj tipike Zadrimore. Kjo vlerë etnografike e cila vazhdon të përcillet brez pas brezi tek banorët e Zadrimës nuk është e institucionalizuar në një muze konkret. Kjo do të ishte një mënyrë e ruajtjes së këtyre vlerave etnografike e cila do ti shpalosej vizitorëve vlerat kombëtare. Veshjet zadrimore ruhen nëpër arkat e vjetra apo nëpër pajat e nuseve, të cilat i shpalosin në eventimentet e krahinës.
AV