At Marin Sirdani, një nga figurat më të shquara në gjysmën e parë të shekullit XX

Share on

Vasel Gilaj

Marin Sirdani është një nga figurat më të shquara në gjysmën e parë të këtij shekulli, ku ai përfaqëson një nga personalitetet e shquara si historian, mësues dhe klerik i nderuar. Së bashku me At Gjergj Fishtën dhe Vinçens Prendushin në vitin 1922 hapën të parin Lice (gjimnaz) në Shqipëri, në qytetin e Shkodrës, të quajtur “Illyricum”.

Marin Sirdani lindi në Bogë në vitin 1885, në një familje ndër më të mirat e fshatit, ajo e fisit ulaj. Babai i tij Daka, shquhej për burrëri, besë dhe mikpritje e atdhetari. Daka pati dy djem, Marinin dhe Aleksandrin. E shoqja i vdes e re dhe i lë të mitur dy djemt. Ai nuk martohet më, duke dashur të rriste vetë dy djemtë. Në atë kohë Boga dhe Malësia ishin të izoluara nga turqit dhe malazezët. Familja e Dakës ndodhej në krizë mbijetese dhe vendosë të lërë vendlindjen në kërkim të një jete më të mirë dhe largohet në fshatin Guci të Kosovës.

Më pas Daka i dërgon dy djemtë në kolegjin françeskan të Shkodrës ku kryejnë shkollën fillore në qytetin e Shkodrës. Marini shkollën e mesme dhe të lartë i kreu në fakultetin e teologjisë dhe filozofisë në Grac të Austrisë.

Marini u shugurua meshtar në vitin 1916, ku për disa vjet shërbeu si meshtar në Bishkash të Mirditës dhe në Dukagjin. Më pas u kthye në Shkodër si mësues në kolegjin françeskan dhe më pas si drejtues i këtij kolegji.

Dhe në vitin 1922, së bashku me At Gjergj Fishtën dhe Vinçens Prendushin hapën të parin lice (gjimnaz) në Shqipëri, të quajtur “Illyricum”. At Marini jepte mësim në lëndën e historisë dhe doktrinë kishtare. Ishte bashkëpunëtori më i afërt i Gjergj Fishtës dhe Vinçens Prendushit dhe i intelektualëve të asaj kohe në qytetin e Shkodrës.

Shkroi shumë vepra, kryesisht iu kushtua historisë. Ndër veprat më të njohura janë “Skenderbegu sipas gojëdhanave”, “Per historinë kombëtare”, “Veprat atdhetare të Françeskanëve” dhe “Shqipnia e shqiptarëve” e shumë legjenda shqiptare.

Ishte bashkëpunëtori më i afërt i shtypit të asaj kohe ku shkroi shumë vjersha e të dhëna historike në revistën “Kumbona e së Diellës” dhe “Ylli i Dritës”.

Ai ishte kryetari i kuvendit të fretënve të Arrës së Madhe, ku në të gjithë veprimtarinë fetare e shkencore u ndal në arimimin dhe edukimin e rinisë. Siç shkruante Gjergj Fishta: “Ala rinia e Shkodres nuk e din se ç’figurë të madhe ka në mes vetit”.

Ja disa nga kujtimet që tregojnë për At Marinin nga bashkëkohësit dhe nxënësit e tij. Ipeshkëvi imzot Zef Simoni kujton mësuesin e tij: “E kujtoj me shumë mall mësuesin tim të dashur Marin Sirdani. Profesor Marini ishte shumë i dashur me rininë dhe punonte shumë. Kishte një kulturë të admirueshme dhe një përgatitje të jashtëzakonshme në lëndën e historisë, se si shpjegonte me pasion të madh. Ai mblidhte në popull të dhëna historike. La me mijëra dorëshkrime mbi legjendat shqiptare dhe shumë vepra që u dogjën e u zhdukën, e shumë broshura nga pushteti komunist”.

Nikoll Toma, një bashkëkohës i Marin Sirdanit, tregon: “Më kujtohet, isha fëmijë, isha me babanë dhe me axhën në arë, po punonim. Në atë kohë vjen Daka nga Shkodra. Pasi falena me të, i thotë baba, si e ke fëmijët, ai iu përgjigj, – i kam çue në shkollë për t’i ba prifta. Baba i bërtiti, si more ç’ke ba ashtu, si more po shkon farë e tretun. Ai iu përgjigj edhe nji herë me ton, si po thua ashtu bre burrë se keni me kenë se të dy fëmijët e mi amanet Zotit nuk kanë me kenë emër tretun po kan me metë në histori se kanë me kenë me shkollë e bijtë e Zotit.

At Dionis Maka dëshmon se Marin Sirdani me librat e tij “Skenderbeu sipas gojëdhanave” ai ka dhënë një ndër kontributet më të çmuara mbi historinë e heroit tonë kombëtar. P.sh. ai flet për Kok Macin, që askush nuk kishte shkruar deri në atë kohë. E pra ky nuk ishte figurë çfarëdo, por qe këshilltari më i afërt i Skënderbeut. Pra Marin Sirdani nuk ishte receptor por një që ka fryte që me kërkimet e tij i ka sjellë të reja historisë sonë. Marin Sirdani ishte kryetari i kuvendit të fretënve të Arrës së Madhe të Shkodrës.

Në përplasjet e para të kishës katolike me shtetin totalitar komunist mbi statusin e kishës katolike. Së bashku me monsinjor Thaçin bënë përpjekje të shumta të gjenin ndonjë rrugëzgjidhje për të zgjidhë konfliktin mes qeverisë së asaj kohe dhe klerit katolik të Shqipërisë.

Ai burgoset dy herë dhe lirohet nga regjimi komunist. Marin Sirdani vdiq pranë fretënve të Kishës së Arrës së Madhe në Shkodër më 14. 2. 1962 nga tuberkulozi.

Pikërisht për vlerat e tij, Këshilli i Komunës Shkrel, këto ditë e ka nderuar me titullin “Qytetar Nderi”.

At Sirdani dha një kontribut të madh për arsimimin e të rinjve. Si mësues dhe si historian kontribuoi për atdheun duke mbledhur dhe ruajtur ato vlera më të mira, duke i transmetuar këto vlera kombit dhe brezave.

Kjo figurë e nderuar e fshatit Bogë, emrin e të cilit mban edhe shkolla e fshatit, do të mbetet si një simbol i dijes dhe i progresit.