Pas pesë muajt “heshtjeje”, në Bruksel u takuan presidentët e Serbisë dhe Kosovës, për të vazhduar dialogun. Thaçi dhe Vuçiq dolën për herë të parë në opinion me mesazh të njëjtë.
Palët thonë se do të nisin përgatitjet serioze për fazën e re të bisedimeve. Ndërsa në Qendrën për Politikë Evropiane në Bruksel kontestojnë seriozitetin e fjalëve të thëna në procesin për normalizimin e raporteve. “Trajtimi serioz dhe i guximshëm tingëllon mirë, por duhet të shohim veprat dhe jo fjalët”, thotë për DW, Korina Stratulat.
Dialogu Kosovë – Serbi

Në Bruksel mendojnë se do të jetë vështirë të flitet për normalizimin e raporteve, nëse palët nuk janë të gatshme t’i realizojnë marrëveshjet. Politikanët serbë dhe shqiptarë arrijnë marrëveshje, por si të largohen nga Brukseli dhe kthehen në vendet e tyre, ata paraqesin marrëveshjet sipas dëshirës së tyre. Në Bruksel thuhet se palët nuk duhet të presin prej BE që të gjejë ndonjë përgjigje konkrete, definitive për problemet dhe raportet mes tyre.
“Nëse BE vazhdon me përpjekjet që të jetë neutral, kjo do të konsiderohet nga palët si mbështetje e palës tjetër. Ndaj BE duhet të jetë më i saktë në qëndrime. Por aktualisht nuk ka ndonjë format tjetër që mund të zëvendësojë formatin e tanishëm të bisedimeve”, thotë Stratulat.
Serbia dhe anëtarësimi në BE
Takimi i fundit Thaçi-Vuçiq ka pasur karakter joformal, por presidenti serb ka kërkuar që Serbia të anëtarësohet sa më parë në BE. Ekspertët në Bruksel thonë se kjo kërkesë ka ardhur në momentin kur BE ka vënë në qendër të vëmendjes Ballkanin dhe kur në Kosovë nuk dihet se kush do të formojë qeverinë dhe si do të vazhdojë dialogu, që prapë kushtëzon rrugën e Serbisë drejt BE. Ata që përcjellin më gjatë zhvillimet në Bruksel e dinë se zgjerimi ndonjëherë është bërë edhe për shkaqe praktike dhe gjeostrategjike. Por edhe ata e kanë të qartë se shpejtësia e afrimit të Serbisë me BE varet nga zbatimi i reforma
“BE ka qenë gjithmonë i qartë në pohimet se Serbia ka perspektivë evropiane. Përshëndes qëndrimin e Vuçiqit për të vazhduar këtë rrugë. Reformat e para kanë dhënë rezultate konkrete, sepse janë hapur 10 kapituj në negociata. Por shpejtësia e afrimit të Serbisë me BE varet nga zbatimi i reformave”, thotë për DW, raportuesi i PE për Serbi, David McAlister. Ai megjithatë nuk mendon se për Serbinë apo Ballkanin gjërat do të përshpejtohen në qoftë se mungojnë rezultatet konkrete.
Vuçiq ka bërë të ditur se këtë vit do të bisedojë për raportet e Serbisë me BE edhe me Presidentin e KE Donald Tusk. Por nuk është e qartë nëse Tusk mund të ndihmojë kërkesat e Serbisë. Diplomatët dhe analistët në Bruksel thonë se bërja e prognozave për anëtarësimin e ndonjë vendi të Ballkanit në BE janë shumë të vështira. “Koha e anëtarësimit të mundshëm sot është më e paqartë se më parë. Tani më shumë vëmendje po i kushtohet raporteve mes vendeve të Ballkanit dhe më pak flitet për anëtarësimin”, thotë Korina Stratulat.