Ministri i Brendshëm gjerman, Horst Seehofer mendon se islami dhe myslimanët gjermanë mund të ndahen. Kjo do të thotë të mos e kuptosh realitetin. Ky vend ka shkuar më larg se ky debat i vjetër, mendon Loay Mudhoon.
Në një kohë që në diskursin federal për islamin gjërat kanë shkuar shumë më përpara, se sa një deklaratë abstrakte populiste. Para 13 vitesh ishte ministri i Brendshëm gjerman Wolfgang Schäuble që thirri Konferencën e Islamit në Gjermani. Para 10 vitesh u ngritën edhe katedrat e para të teologjisë islame në Gjermani.
Myslimanët pa islamin nuk ekzistojnë
Nga përmbajtja, praktikisht dhe juridikisht nuk justifikohet dot dallimi që i bën Seehoferi myslimanëve dhe islamit. Ky dallim është jashtë realitetit. Arsyet janë të kuptueshme:
Së pari: Se ku besojnë qytetaret dhe qytetarët e këtij vendi është një gjë private. Feja nuk përcakton përkatësinë në një vend. Kushtetuta jonë liberale demokratike është botëkuptimore, neutrale dhe mban detyrimin për ruajtjen e lirisë së fesë, si çdo e drejtë themelore.
Së dyti: Kur qytetarët bëjnë pjesë tek një komb kushtetues, atëherë automatikisht bën pjesë edhe feja e tyre aty. Në fund të fundit nuk mund të ndash qytetaret dhe qytetarët gjermanë të besimit mysliman nga feja e tyre.
Së treti: Me çështjen e shtruar gjithnjë nga e para, pra të përkatësisë apo mospërkatësisë së islamit në Gjermani myslimanët bëhen një masë pa profil, homogjene e iu merret individualiteti. Por myslimanët gjermanë nuk janë automatë të kuranit. Janë më të paktë ata myslimanë që e përcaktojnë veten vetëm përmes fesë së tyre, edhe pse shoqatat konservatore islame përpiqen të zgjojnë pikërisht këtë përshtypje. Kësaj i shtohet: Identiteti mund të perceptohet në kontekstin islam vetëm në shumës.
Politikë identitare përmes përjashtimit
Horst Seehofer bën një politikë identitare të klisheve, një politikë të rrezikshme me riaktivizimin e këtij debati, e këtë në kurriz të pakicës myslimane në vend. Ajo është e rrezikshme, sepse sjell irritime dhe probleme identiteti, sidomos tek të rinjtë, që nuk njohin vendlindje tjetër veç Gjermanisë. Me këtë ministri i Brendshëm gjerman e vështirëson identifikimin e këtyre të rinjve me Gjermaninë dhe nuk e ndihmon integrimin.
Politike faktesh jo simbolesh
Py dyshim: Që myslimanët janë pjesë e hapësirës publike ka efekt irritues ndaj popullsisë. Por kjo nuk ka të bëjë me „islamizimin e perëndimit”, por me lirinë, që ofron kushtetuta jonë. Që kërkon barazimin institucional të islamit me kishat e krishtere. Edhe për këtë është e rëndësishme që të debatohet, gjithnjë e parimisht, për marrëdhënien e shtetit me fenë.
Por këto debate nuk duhet të na çojnë aty që të harrojmë faktet, çështjet e rëndësishme që nevojiten aktualisht për t’u zgjidhur, sepse ngecim në nivelin e politikës simbolike. Politika e fakteve konkrete është më e komplikuar se ajo e gjoja-diskurseve. Ministri i ri i Brendshëm duhet ta vrasë më shumë mendjen, se si të përmirësojë bashkëjetesën e një shoqërie migracioni, multietnike e multikulturore.
Shumë punë për Horst Seehofer
Aktualisht ai duhej të kujdesej që xhamitë në këtë vend të mbrohen nga sulme terrori. Përveç kësaj, ai duhet të mbështesë përpjekjet e landeve që oferta për mësimin e islamit në shkollat gjermane të bëhet një gjë normale. Pra, ka shumë punë për të bërë ministri i ri i Brendshëm. Një ide e mirë do të ishte rigjallërimi i Konferencës për Islamin si platformë kombëtare e dialogut: Këtu mund të merrte impulse të reja integrimi i islamit në shtetin gjerman dhe të krijohen modele orientuese për një shoqëri moderne migracioni. Dhe kjo mbi bazën e shanseve të barabarta, të pjesëmarrjes të të gjithë qytetareve e qytetarëve të këtij vendi.
Ju mund të jepni në fund të këtij artikulli mendimin Tuaj! Ne ju mirëpresim!
DW