“Dituria” e Lumo Skëndos një revistë me karakter letrar dhe diturak që qarkulloi në ditët e para të janarit 1909 që dha për shqipen

Share on

REVISTA “DITURIJA” (1909-1929) E LUMO SKËNDOS PËR ÇËSHTJE TË GJUHËS SHQIPE

Një revistë me karakter letrar dhe diturak që qarkulloi në ditët e para të janarit 1909 e pikërisht, më 1 janar, qe revista “Diturija”, që drejtohej nga i dituri LUMO SKËNDO (MIT’HAT FRASHËRI). Ajo u botua me disa ndërprerje deri në vitin 1929. Kështu trajektorja e botimit të saj është e tillë. Fillimisht, pasi u botuan 12 numra, ajo u ndërpre për shtatë vjet rresht, derisa qarkulloi për të dytën herë në qershorin e vitit 1916. Nuk do të jetë Selaniku, por ajo tashmë do të botohej në Bukuresht dhe vetëm në 3 numra. Pati përsëri ndërprerje duke kaluar në Tiranë, numri i parë i së cilës i përket 1 nëntorit 1926 dhe do të zgjasë deri në vitin 1929, pa ruajtur periodicitetin që të dilte në çdo muaj. Gjithsej nga viti 1909-1929 u botuan 40 numra.

Platforma e kësaj së përkohshmeje ishte që të trajtonte probleme kulturore letrare e shkencore, duke u shoqëruar me ilustrime në gjuhën shqipe. Me interes janë shkrimet që trajtojnë probleme gjuhësore, si ato që kishim lidhje me historinë e shkrimit të shqipes, të gjuhës letrare, të kulturës së gjuhës, çështje gramatikore, bibliografi etj. Autorë të këtyre shkrimeve kanë qenë personalitete të kohës, si: Aleksandër Xhuvanni, Karl Gurakuqi, Mati Logoreci etj.
Për historinë e shkrimit të shqipes. Është tema që e ka tërhequr stafin e revistës. Mbetej ende një problem i prek shëm, ndonëse kishin kaluar dy muaj, pasi ishte zhvilluar Kongresi i Manastirit (nëntor 1908) dhe ishte miratuar alfabeti që kemi sot. Kryeartikulli i parë i saj do të kishte si titull “Istori e shkrimit shqip”, shkruar nga eruditi Lumo Skëndo. Autori fillimisht i kushton vëmendje zbulimit të albanologut austriak J.G.Hahn të disa copave ungjijsh të shkruara me shkronja të veçanta. Autori këtu dhe në disa shkrime të tjera jep hollësi për këtë zbulim të Hahnit, të cilin e pati konsideruar shkrim pellazgjik, por më vonë u sqarua se ai ishte vepër e Teodor Haxhifilipit, i njohur nga populli Dhaskal Todhri.
Problem tjetër që ngrihet në këtë shkrim, ishte vjetërsia e shkrimeve shqipe ku si vepër të parë L. Skëndoja konsideronte atë të Pjetër Budit të titulluar “Pasqyra e t’rrëfyemit” e vitit 1621, pasi vepra “Meshari” i Gj. Buzukut nuk ishte i njohur nga autori i shkrimit në atë kohë, por në shkrimet e tjera të mëpastajshme korrigjon vetveten, duke përmendur edhe veprën e L. Matrëngës “E mbësueme e krështerë” e vitit 1592. Këtu jep si informacion rizbulimin e veprës së Buzukut, “Meshari”, nga peshkopi arbëresh Pal Skiroi. Gjithashtu jepen të dhëna për dokumentet e para të shkrimit shqip. Autorin e shqetësonte enigma se a ka qenë shqipja e shkruar më parë apo jo. Për L. Skëndon, duke mos njohur veprën “Mesharit” të Buzukut, mendonte se shqipja duhet të jetë shkruar edhe më parë nga priftërinjtë katolikë. Për veprën e Pjetër Bogdanit, të cilin e konsideronte me vlerë dhe prej shqiptarëve konsiderohej si vepër klasike, shfaq mendimin se P. Bogdani do të ketë shkruar edhe vepra të tjera, por do t’i kenë humbur duke ikur në Raguzë. Bënte vlerësime për shkrimet e botuara gjatë shek. XIX. Në numrin 3 të vitit 1909 boton edhe dy fotografi ku përfshihen delegatët në Kongresin e Manastirit (1908), kurse në tjetrën janë anëtarët e komisionit të hartimit të alfabetit të gjuhës shqipe, fotografi të cilat do të botoheshin e ribotoheshin gjatë 100 vjetëve.
Për gjuhën e përbashkët letrare. Një problem gjatë Rilindjes sonë Kombëtare dhe më vonë që i ka preokupuar patriotët shqiptarë, ka qenë çështja e gjuhës së përbashkët. Ajo mori një dimension të ri, veçanërisht pas Kongresit të Manastirit kur u zgjidh problemi i alfabetit të njësuar të gjuhës sonë. Që në numrat e parë të vitit 1909, stafi i revistës merret me trajtimin e këtij problemi. Së pari e trajton këtë çështje në artikullin “A do të kemi një të vetëm gjuhë literare shqip?”.
Autori ndodhej përpara një alternative të tillë, të ngrihej në rangun e një gjuhe letrare një dialekt apo “një dialekt në mes të dyvet”. Revista nuk ishte për të folmen e Elbasanit, një e folme qendrore, pasi, sipas saj, mungonte një vepër e rëndësishme e shkruar nga kjo e folme, por edhe një gramatikë, e cila do të tregonte rregullat e kësaj gjuhe. Gjuha e Kristoforidhit nuk e pasqyronte të folmen e vendlindjes pasi ishte e përzier. Edhe filologu Gjergj Pekmezi dha mendime për këtë problem. Për të ishte më mirë të përdoreshin të dyja dialektet e shqipes. Por autori i artikullit përmend edhe alternativa të tjera, siç janë përdorur edhe në gjuhët e tjera indoevropiane, si zgjedhja e gjuhës së një shkrimtari të madh si Danteja, ose gjuha e një qyteti që është bërë kryeqytet, si: Parisi, Londra, Praga etj.
Por revista hedh edhe ide të tjera në shkrimet e botuara për këtë çështje nga autorë të tjerë.
Për Mihal Sherkon, duke qenë se gjuha e përbashkët është në fillimet, krijimi i saj do të derdhet ose në formën e gegërishtes së toskërizuar ose të toskërishtes së gegërizuar. Gjuha e përbashkët do të përmbledhë të dyja dialektet, do t’i tretë, duke krijuar një dialekt të ri letrar, ku do të fitojnë me kalimin e kohës ato elemente që janë të përbashkëta e të lehta në përdorim, ndonëse dy dialektet kanë veçoritë e veta. Gjuha letrare, për M. Sherkon, është gjuhë intelektuale, gjuhë e gdhendur, e punuar, e përmirësuar kulturisht d.m.th. brez pas brezi. Sipas autorit, gjuhën letrare e gatuajnë shkrimtarët dhe vjershëtorët.
Çështje të tjera gjuhësore. Shqipëria ishte në pritje të pavarësisë kombëtare. Kultura shqiptare dhe arsimi kombëtar kishin nevojë për studime dhe botime që t’i shërbenin zhvillimit, lëvrimit dhe pasurimit të gjuhës. Ishte e nevojshme që shteti i ardhshëm shqiptar të kishte të shtruar tabanin edhe në këtë fushë. Megjithëse në kushtet e pushtimit, intelektualët e kohës kërkonin të përgatitnin infrastrukturën e nevojshme që kultura dhe shkolla të mos punonin në një terren të virgjër. Një rol të veçantë në këtë kohë do të lozte edhe shtypi i kohës, duke trajtuar problemet më emergjente të përhapjes së gjuhës dhe shkrimit shqip. Një objektiv të tillë pati edhe stafi i revistës “Diturija”, që në numrat e saj të parë, hapi rubrika të veçanta për problemet më shqetësuese të gjuhës shqipe dhe të arsimit tonë kombëtar.
Janë disa rubrika që revista “Diturija” hap për këtë problem, si: Tribunë gramatike dhe gjuhësie, Të vëmë re kur shkruajmë, Fjalëtore e vogëlë etj., në të cilat personalitete të kohës si Aleksandër Xhuvani, Karl Gurakuqi etj., dhanë mendimet e tyre për çështje të veçanta gjuhësore. Revistat në mjaft raste debaton me artikujshkruesit për çështjet e ngritura në shkrimet e tyre me karakter fonetik, morfologjik etj.
Fillimisht u diskutua për përdorimin e zanores ë. Argumentohej pse duhet ose jo përdorimi i saj, L. Skëndoja mbron idenë se ajo duhet të përdoret se e kanë shkrimtarët e vjetër dhe të folmet e Jugut. Duke qenë se ajo është fonetike, duhet të studiohet “me durim, duke hetuarë dhe peshuarë çdo fjalë, çdo formë, me durim gjykim dhe dituri”.
Këtij problemi i referohet edhe Mati Logoreci. Ai shpreh mendimin se zanorja ë në shqipe është fonetike dhe në asnjë rast nuk ndjek etimologjinë. Kështu kanë vepruar edhe autorët e vjetër, të cilët nuk kanë shkuar sipas etimologjisë, por sipas shqiptimit të kohës. E nëse veprojnë kështu, kjo vjen se gegët përdorin zanoret e gjatë, ndërsa toskët nuk i shqiptojnë ato.
Revista gjatë jetës së saj nuk merret me një problem të caktuar, por ndalet në ato çështje që janë të diskutueshme dhe kanë nevojë për trajtim dhe argumentim .
Sipas Lumo Skëndos, shoqëria shqiptare ka nevojë për fjalë të koncepteve abstrakte dhe teknike. Këtë problem e ngre edhe në shkrimin “Fjalor për skaja që kan’ nevojë të kthjellohen”. Për këto duheshin fjalë – terma të reja. Për autorin kjo mund të zgjidhej në dy rrugë: të huazoheshin fjalë, kuptimi i të cilave ishte kristalizuar ose t’i krijonin nga vetë brumi i shqipes. Por autori sqaronte se çfarë duhet të kishim parasysh në një rast të tillë:
– Të studionin gjuhën e autorëve të vjetër, të njihnim ligjet e brendshme të gjuhës dhe dialektet e saj, fjalorin e gjuhës sonë.
Në rubrikën “Fjalëtore e vogëlë”, të cilën e hapi revista që në numrin 2 të saj dhe vazhdoi për disa numra. Autori kishte për qëllim të shpjegonte kuptimin e shumë fjalëve që përdoreshin në atë kohë në shtyp e lexuesi nuk ua dinte kuptimin. Dhe Lumo Skëndoja shpjegimin e tyre e ka bërë, duke ua vënë korresponduesen në turqisht, frëngjisht dhe greqisht. Kështu shpjegon fjalët: dheshkronjë (gjeografi), libretore (bibliotekë), fjalëtore (fjalor), ministori (ministri) etj. Kësaj rubrike autori i ka dhënë natyrën e një fjalorthi.
Në këtë revistë pati edhe shkrime thjesht me karakter gjuhësor. Një i tillë qe edhe artikulli i Karl Gurakuqit për ndërrimin e gjinisë së emrave mashkullorë që në shumës marrin prapashtesën -e, duke u integruar në gjininë femërore. Pranimin e kësaj dukurie e mbështeste në atë kohë G. Waigandi, A. Xanoni etj. Gjithnjë K. Gurakuqi e ka ngritur këtë problem shumë vite më vonë, edhe në revistën “Shejzat” etj. Lumo Skëndoja nuk pajtohet me një qëndrim të tillë dhe për këtë sjell argumente të tjera të kundërta që vijnë në kundërshtim me pikëpamjet e K. Gurakuqit. Pra revista nuk pranon dygjinisinë e këtyre emrave. Kjo dukuri që në shumës të marrin një përcaktor të gjinisë femërore, sot është kthyer në normë morfologjike, duke u shtrirë edhe në emrat mashkullorë që marrin prapashtesën -ra.
Edhe Mihal Sherku nuk pajtohet me K. Gurakuqin për këtë dukuri, duke e konsideruar një përzierje në mes gjuhës së folur dhe asaj së shkruar. Ndërsa Mati Logoreci del në mbështetje të Gurakuqit. Ai e mbyll shkrimin me këto fjalë: “Në daçin pra, me shkue mbas natyres së gjuhës sonë mos t’i mohojmë ligjet e saj,… t’i ruajmë origjinalitetin”.
Revista trajton edhe probleme të tjera gjuhësore. Kështu ngrihet çështja që të mos njejtësojmë të pashquarën dhe të shquarën në numrin shumës, mbasi në shkrimet e asaj kohe prirja për të njëjtësuar këto vihej re në disa botime. Këtë dukuri, të rënies së mbaresës -t në të shquarën në rasat e zhdrejta të emrit e ndeshim më tepër tek autorët gegë. Këtë e kishte trajtuar në gramatikën e tij edhe Gjergj Pekmezi, si një dukuri e autorëve veriorë, por si ky rregull shkonte kundër gjuhës. Është për t’u theksuar se rënia e mbaresës -t në shumësin e shquar në rasat e zhdrejta mori udhë dhe kështu ajo është sot një normë morfologjike që duhet respektuar.
Gjatë viteve pas shpalljes së pavarësisë, lindën edhe probleme të kulturës së gjuhës, lidhur me atë që është e drejtë, jo e kufizuar në ndonjë të folme periferike. Këtu ndërhyn me shkrimet e tij në rubrikën e re “Selectae” Aleksandër Xhuvani, që do ta vazhdojë këtë rubrikë edhe më vonë në botime të tjera.
Ai ngre përdorimin e drejtë të shumësit të disa fjalëve që bien në kundërshtim me përdorimin më të përgjithshëm. Të mos përdoret, sipas porosisë së Xhuvanit, shumësi me prapashtesën -a, por të ruhet trajta e njëjësit ose të marrin -ë; si; disa nxënës e jo nxënësa, mësues e jo mësuesa, profesorë e jo profesora etj.
Është me interes të veçojmë se çfarë këshillon stafi i revistës për të mësuar gjuhën, kur populli shqiptar ende nuk kishte fituar pavarësinë dhe shtetit të ardhshëm shqiptar, krahas detyrave të shumta që do të kishte, përparësi do të merrte mësimi, lëvrimi dhe pasurimi i gjuhës shqipe, kur dihej se nga gjuhët e tjera kishim pasur ndikim, kryesisht në leksik. Në këto rrethana, tre vjet para shpalljes së Pavarësisë, kërkohej nga shqiptarët që për të mësuar shqipen, duhej:
1. Të lexohen libra që ishin shkruar shqip.
2. Të nxirren fjalë të reja dhe të mësohen ato duke krijuar një fjalor.
3. Të mësohen të dyja dialektet, megjithëse, sipas autorit, shqipja është e varfër dhe e ashpër, por duke u punuar me kujdes, do të bëhej si shoqet e saj.
Shkrimet që janë botuar në revistë, nuk janë të gjata dhe të thella, por për kohën, kur janë shkruar, paraqesin interes, pasi autorët kanë qenë vendës dhe të huaj. Kështu albanologu G. Waigandi botoi artikullin “Përdorimi i ablativit në librin e P. Bogdanit “Cuneus prophetarum”. Këtij shkrimi i përgjigjet A. Xhuvani që sjell edhe përdorime të tjera të kësaj rase në atë kohë.
Gjejnë vend në këtë revistë edhe probleme nga fusha e fjalëformimit. Vërejmë një shkrim për prapashtesat në të cilin rreshtohen mbi 50 të tilla, duke shpjeguar vetëm kuptimet e tyre.
L. Skëndoja në rubrikën “Fjalëtorët shqip” jep një listë fjalësh që duhet të përdoren, të cilat nuk janë krijime të autorit, por të autorëve të mëparshëm ose janë krijime popullore.
Në numrat e tjerë të disa viteve më vonë, merret me Fjalorthin greqisht-shqip, e folur prej 2378 fjalësh të Marko Boçarit, që për autorin ka interes për të folmen e Çamërisë. Në vitin 1926, Mit’hat Frashëri e botoi fjalorin. Për këtë shkruan: “Ky fjalor paraqet një interes thjesht kuriozitete si një kujtim e të famshit kapedan suliot, pa ndonjë rëndësi letrare ose filologjike të vërtetë”. Në të vërtetë fjalori ka vlera leksikografike, leksikologjike dhe dialektologjike. Këtë e vërteton edhe fakti se ai zgjoi interesin e mjaft studiuesve. Kështu albanologu grek Titos Jahallas na dha një botim akademik të këtij fjalori në vitin 1980, ndërsa E. Varfi bëri transkriptimin e tij dhe e botoi në revistën “Hylli i Dritës” (nr.3-4, 1996) dhe së fundi Niko Stilos botoi Fjalorin e Marko Boçarit në vitin 2007. E veçanta e këtij fjalori është se në fillim të shekullit ndeshim shkrime në të cilat përdoret alfabeti grek për shqipen.
Problemet gjuhësore kanë pasur një shtrirje të gjerë në këtë revistë, por nuk mbetën jashtë edhe përshkrimi i veprimtarisë shkencore të disa personaliteteve të kulturës sonë, si “Dora d’Istria”, apo tema të tilla nga fusha e kulturës dhe e arsimit, si: Katedra e gjuhës shqipe në vende të huaja, Shoqëria e Stambollit, si dhe veprimtaritë dhe aktivitetin e shqiptarëve jashtë atdheut, si në Greqi, Itali, Rumani etj. Me interes në këtë revistë është bibliografia që paraqet vepra shqip ose që janë shkruar për shqipen dhe Shqipërinë, duke plotësuar bibliografinë e E. Legrandit (1912). Kështu revista jep edhe njoftime për vepra dhe dorëshkrime të rralla, si për gramatikën në dorëshkrim të vitit 1710. Informacionin e parë rreth këtij dorëshkrimi e kemi nga arbëreshi Nilio Borgia, i cili në nr. 12 të vitit 1927 botoi në këtë revistë shkrimin “Një gramatik’e voglë e gjuhës shqipe, më 1710”. Për dorëshkrimin bënte këtë vlerësim: “Nuk mund të mos i jemi mirënjohës për veprën që ka ardhur tek ne sado që kjo nuk është veçse një skicë gramatike”. Më pas patën shkruar për këtë vepërz G. Petrotta, M. Roku, J. Kastrati, Dh. S. Shuteriqi dhe së fundi e botoi këtë gramatikë të shoqëruar me një studim të gjatë me karakter filologjik R. Ismajli, Prishtinë, 1982.
Revista “Diturija” një organ që qarkulloi me ndërprerje, por që erdhi duke ngritur cilësinë dhe duke shtuar tirazhin, qe një ndër organet e rëndësishme në fushën e kulturës në dekadat e para të shek XX. Tematika erdhi gjithnjë duke u përmirësuar, zgjeruar dhe profilizuar. Ndonëse kanë kaluar 100 vjet nga numri i parë i revistës, përsëri ndeshim shkrime me interes, prandaj revista jo vetëm për kohën kur qarkulloi, por edhe më pas, duhet të çmohet e të vlerësohet për ato shkrime, të dhëna, interpretime që mund të shfrytëzohen me dobi edhe sot.