INTERVISTA NE TVSH/ Sali Berisha: PD në zgjedhje ka përballë ka ish-mazhorancën apo atë që quhej aleancë e qelbësirave

Share on

 

Ish-kryeministri Sali Berisha pranon që shumicës së sotme i takonte të zgjidhte presidentin dhe e konsideron Ilir Metën president legjitim. Berisha ka një vlerësim dhe këshill për presidentin e zgjedhur, por ndërkohë flet edhe për të ardhmen e Presidentit Nishani. “Ai është majtist i palëkundur”’ thotë Berisha për njeriun që duket se ka qenë në shënjestër të marrëveshjes politike të 18 Majit. Berisha, thotë se do të marrë pjesë në ceremoninë zyrtare të nisjes së detyrës nga Presidenti Ilir Meta. Në një intervistë dhënë Lutfi Dervishit për emisionin “Përballë” që transmetohet sot në “RTSH 1” në orën 20:35, përveç qëndrimit për listën e re të Bashës, problemet me kritikët dhe fushatën, Berisha flet për marrëveshjen Rama- Basha, dyshimet dhe vlerësimet e tij si dhe për nevojën për ndryshimet e paralajmëruara kushtetuese si rrjedhojë e kësaj marrëveshje.

Në 2013-ën ju keni vendosur një standard si kryetar i PD-së…

Nuk është i domosdoshëm ai standard për të gjithë. Ta themi atë që është..

Dakord, t’i referohemi një standardi tjetër. Në momentin e  Brexit nga një votim iku një klasë politike. Domethënë ikën ata që ishin pro, ikën ata që ishin kundër. Qarkullimi i elitave nënkupton se nëse ti ke fuqinë për të përcaktuar gjithë listën dhe të thuash “është lista fituese, do të bëhem kryeminsitër”, nëse ti nuk bëhesh kryeministër, atëherë gjithë ky pushtet shkon me një përgjegjësi më të madhe…

Nuk ka diskutim që shkon në një përgjegjësi më të madhe. Kushdo që më pyet mua “po si ndodhi që i more të gjitha përgjegjësitë mbi vete?”, shumë thjesht i them se kryetari ata që i kishte përreth i kishte pëlqyer vet në një mënyrë ose në një tjetër i kishte përzgjedhur vet dhe asnjeri nuk ia kishte vendosur atij në ato pozicione. Nuk është se ata nuk kishin secili nga pak përgjegjësi…

 Sipas rretheve…

Po kryetari e kishte përgjegjësinë dhe kryetari mban përgjegjësinë kryesore. Lulzim Basha ka deklaruar se do të bëhen çdo dy vjet zgjedhjet e kryetarit të PD-së, pas çdo zgjedhje lokale dhe pas çdo zgjedhjeje të përgjithshme.

 Po, por në momentin që shuhen të gjithë zërat kritik, zgjedhjet brenda partisë kthehen në një formalitet.

Jo, nuk shuhen. Zërat kritikë nuk shuhen kurrë në asnjë parti, as në Partinë Demokratike. Por kjo është një periudhë dhe unë e shfrytëzojë këtë rast dhe unë e shfrytëzoj këtë rast t’i bëj thirrje çdo demokrati, çdo qytetari të bëjnë gjithçka në këtë prag fitorje të sigurtë të opozitës shqiptare. Kurrë ndonjëherë nuk e ka patur populli i opozitës më afër, më të prekshme, më të mundshme fitoren, se sa në këto zgjedhje. Imagjino kë kanë kundërshtar. Kanë kundërshtar një njeri i cili pasi mashtroi, pasi shpalli platformë me 42 premtime dhe ka zbatuar vetëm një prej tyre, heqjen e TVSH-së për ilaçet, paçka se çmimi i ilaçeve është rritur me 30% në krahasim me 3 vjet më parë…

Kë ka përballë në këto zgjedhje Partia Demokratike?

Përballë ka ish mazhorancën apo atë që quhej aleancë e qelbësirave.

 Vetëm se sulmi deri më tani, artileria është drejtuar vetëm nga LSI-ja?

Padiskutim që kundërshtarë kryesor dhe në mënyrë të vendosur ka Edi Ramën dhe pas tij Ilir Metën në proporcion me aksionet që ata kanë…

 Petrit Vasilin doni të thoni?!

Petrit Vasilin, më fal… S’ka diskutim që Edi Rama është kundërshtari kryesor që çdo ditë e më shumë më del më i dobësuar. Lutfi nuk kam parë kurrë në jetën time…

 Nuk është normale të bësh këtë pyetje, por unë do ta bëj, meqë u morët me kryeministrin. Në vlerësimin tuaj objektiv çfarë ka bërë mirë kjo qeveri gjatë këtyre katër viteve?…. (kërkohet kohë të mendoheni…?)

Kjo është kështu. Si të më thuash ti mua zhytu në një kënetë dhe gjej gjilpërën. A ka njeri që të zhytet në llucë e të gjej gjilpërën në llucë? E ke raportin e sotëm për drogat. është katastrofal për Shqipërinë raporti i sotëm për drogat. Ky ishte një nga aktet më të papërgjegjshme në historinë e vendit pas diktaturës. U luajt shumë rëndë me reputacionin dhe me shumë gjë për vendin. Sot raporti i Europolit damkos Shqipërinë si problem kryesor të drogës në Europë, qoftë në drogat e forta, heroinë, kokainë, qoftë në marjuanë.

Në fushatë po flitet për Republikën e Re dhe Shqipërinë që duam, por nuk dëgjohet më në fushatë fjala kanabis, kanabistan, narko-trafik. A është heshtja pjesë e marrëveshjes së 18 Majit?

Jo, nuk është, të garantoj. është një diçka tjetër. Nëse sheh pollet, ato tregojnë se cilat janë shqetësimet kryesore të qytetarëve

Në marrëveshjen e arritur flitet për reformë zgjedhore dhe reformë kushtetuese. Që do të thotë se bëhen me bashkëpunimin e forcave të mëdha, nuk mund të bëhen ndryshe. Çfarë mendoni se duhet të adresojë reforma kushtetuese?

Mendoj se reforma kushtetuese mund të japë një shëmbëlltyrë të re për disa institucione të vendit. Në sistemin e zgjedhjeve unë mbetem idhtar i proporcionalit të pastër sepse nuk jam unë në linjën e përjashtimit të atyre që nuk e ndjejnë veten të përfaqësuar tek ti. Ky është një problem. Partitë e mëdha përfaqësojnë shumicën, por partitë e mëdha nuk përfaqësojnë që të gjithë.

 Ju keni thënë që partitë e vogla përfaqësojnë afro 30% të votave të elektoratit. Cili është sistemi që bën drejtësi ndaj tyre, por edhe garanton stabilitet qeverisës?

 Nuk ka vuajtur Shqipëria nga mungesa e stabilitetit qeverisës. Po marrim mandatet. Fator Nano i sosi dy mandate duke dhënë dorëheqjen. I pati të brendshme ato, jo nga opozita…

 Duke folur për reformën kushtetuese. Shqiptarët shkojnë në votime më 25 qershor, por si ata që votojnë si ata që nuk votojnë, si ata që abstenojnë e dinë se cilët do të jenë deputet në qarqet e tyre. Gara bëhet për të përcaktuar përbërjen e 20% të Kuvendit. Shqiptarët votojnë, por nuk zgjedhin. Të zgjedhurit i kanë përcaktuar kryetarët e partive. A mendoni se duhet adresuar diçka thelbësore në kuadrin e reformës kushtetuese?

Adresimi që parashikon kryetari i PD-së është vendosja e sistemit mazhoritar, ku qytetarët të zgjedhin deputetin. Dhe nëse vendoset sistemi mazhoritar…

 I referoheni sistemit nga viti 1992-2008? apo mazhoritar i pastër?

E ka Britania e Madhe këtë. Por këtij sistemi mund t’i shtohen edhe primaret në përcaktimin e deputetëve dhe kjo s’ka diskutim që përfaqësuesit e bënë më direkt dhe më të afërt të qytetarit. Kjo është një formë dhe jep një kontakt direkt. Ndërsa tjetër formë, e cila në pamje të parë do të vlerësonte meritën do të ishte lista e hapur, por unë kësaj nuk i besoj. Pse nuk i besoj? Sepse me listën e hapur do të fitonin të fortët, ata që kanë para dhe ata e rrethojnë kryetarin si të duan.

  A është ky model i mirë për çdo zgjedhje, që Shqipëria për disa mandate në prag zgjedhjesh të ftojë opozitën në institucione kyç?

Greqia me kushtetutë në institucione kyç e bën me 3-4 ministra. Greqia, e cila ka qenë një vend me probleme në të shkuarën e saj, ka sot një stabilitet dhe një Kushtetutë, me institucione dhe mekanizma të cilat parandalojnë dhe zgjidhin kriza. Për shembull po marr qeverinë teknike. Qeveria teknike është një praktikë italiane, e suksesshme, jo e pasuksesshme. Për shembull në Itali kryeministri humbi votëbesimin. Forcat politike që të gjitha nuk ishin të gatshme të shkonin në zgjedhje. Po nëse forcat politike nuk janë të gatshme të shkojnë në zgjedhje praktika italiane krijon një qeveri teknike ose një qeveri të mbështetur nga shumica, e cila kryen një, dy, tre detyra. Greqia emëron me kushtetutë në këto raste, jo si këto, se ata ministrat i zëvendëson automatikisht. Por po të ndodh që nuk krijon dot qeveri, i jep presidenti mandatin e kryeministrit kryetarit të këshillit kushtetues. Kryetari i këshillit kushtetues, një gjykatës apo një jurist i shquar udhëheq qeverinë për 3 muaj deri në zgjedhje.

 Nuk kam dëgjuar asnjë kryetar të partive të mëdha që në fushatë të thotë do të humbasë…?

Jo, nuk është problemi këtu. Problemi është se unë shoh Edi Ramën që kalon nga sheshi në shesh si fantazëm e Nastradinit. Nuk përmend dot më asnjë nga premtimet. Ka një frazë standarde “shumë kemi bërë, por s’po harxhojë kohë që t’i përmend”. Absolutisht s’përmend dot asnjë, se nuk ka bërë, se nuk tregon dot një kilometër rrugë, një shkollë të re dhe asgjë…

Rama thotë “kemi bërë reformën territorale, kemi formalizuar ekonominë, pagesat e energjisë, reformën në drejtësi”…

Ka arrestuar 22 mijë vetë për energjinë elektrike, duke shndërruar në rast unik në botë çështjen civile në çështje penale. E gjithë bota mund ta bënte atë, por vendet e lira dhe vendet demokratike një seri çështjesh i lënë civile dhe i lënë pikërisht për të mos ushtruar dhunën shtetërore ndaj qytetarëve. Se dhe ato dinë. Një seri çështjesh të tjera i kanë penale. Kurse ky kaloi çështjen civile në çështje penale dhe vuri pas hekurave 22 mijë qytetarë, shumica e tyre njerëz të varfër dhe të pamundur. Ndërkohë që nuk ka vënë pas herkurave as 50 kanabistë që mbushën Shqipërinë me kanabis. Përkundrazi aty ka ikonën e kanabizimit, që është drejtori i përgjithshëm i policisë. S’ka lëvizur.

 Policia është e ndarë, por është në ministri…?

Dhe çfarë po bën?! Ai po i mban iso krimit…

 Ju po thoni për ministrin apo drejtorin e përgjithshëm të policisë?

Unë po flas për drejtorin e policisë… Ministri po përpiqet që ai institucion që u lëshua si lukuni…

 Në mënyrë paradoksale kur ishte ministër Xhafaj kapi…?       

Ai institucion, policia e shtetit, policia kanabiste u lëshua si lukuni të marr pjesë në zgjedhje dhe ministri e ka frenuar në një mënyrë. Unë kam raporte, po janë të pakta. Nuk është ministri që lufton bandat. Për bandat dhe rendin është drejtori i përgjithshëm i policisë, që absolutisht nuk ka ndërmend. A i ke parasysh ti skenat se si e përcolli Sajmir Tahirin, drejtori vet?! Sepse në duart e tij ishte një lolo.

 Një muaj pas zgjedhjeve, Parlamenti do të mblidhet për ceremoninë e fillimit të detyrës së Presidentit të Ri. Do të jeni në atë seancë?

Nëqoftëse ftohem. është një traditë normale, në të cilën pavarësisht se presidenti është zgjedhur pa miratimin e opozitës, por kjo nuk do të thotë se opozita nuk njeh presidentin. Opozita e njeh presidentin sepse ajo shumicë që ishte voton.

A keni një vlerësim për Presidentin e zgjedhur Meta, të cilin kryetari i Partisë Socialiste e ka quajtur president më afër opozitës…?

Ato janë vlerësime… Ilir Meta është një majtist i palëkundur dhe ç’është e vërteta është më i majtë se Rama…

 Në këtë rast ju po i bëni kompliment…?

Po i bëj kompliment thua?! Mirë e ke! Vlerësim kam për një majtist. Natyrisht e kam theksuar dhe e theksoj që zgjedhjen nuk e kam quajtur kaq të domosdoshme. Për krizën që ndodhej vendi mund të bëhej me një diskutim më të gjerë dhe më të hapur dhe jo në atë mënyrë siç e bënë. Por a i takonte shumicës të zgjidhte presidentin? Unë them se i takonte shumicës të zgjidhte presidentin.

 Si ish president i parë i pluralizmit, çfarë sugjerimi mund t’i jepnit presidentit të ri, me të cilin ju edhe keni pirë kafe publike?

 Natyrisht, presidenti ka një libër. Libri i presidentit është kushtetuta. Kjo është e vetmja që mund të them. Por e them që presidenti këtu është zhveshur nga funksione…

 Me ndërhyrjet e fundit…

Sidomos me ndërhyrjet e fundit presidenti ka humbur shumë funksione. Unë nuk kam qenë dakord. Dua të jem i hapur këtu, me përcaktimet e kushtetutës së ’98-ës, e cila e bëri presidentin kryeministër të gjyqësorit.

 Në një farë mënyre ajo kushtetutë ishte që t’i shkonte kostumi edhe Mejdanit, edhe “kancelarit” Nano në kohë …

Ajo nuk ishte…  A e di se dispozitat kushtetuese, unë isha president me fuqi ekzekutive…

 Në ’92-shin?

Mblidhja qeverinë, por nuk kisha ato fuqi gjyqësori. Unë emëroja në Gjykatën Kushtetuese 3-4 gjykatës. 3-4 të tjerë i emëronin grupet parlamentare. 3-4 të tjerë i emëronte gjyqësori. Pra, kishte një diversifikim. Jo i gjithë pushteti për gjyqësorin se pastaj….

 Në Shqipëri, me përjashtim të z. Moisiu të gjithë presidentët me mbarimin e mandatit janë rikthyer ose kanë tentuar kthimin në politikën aktive. Z. Nishani është shumë i ri për të krijuar model ish presidenti. A parashikoni një kthim të Presidentit Nishani në politikën aktive?

Unë respektoj çdo vendim që të marrë. Kam konsideratën më të lartë, vlerësimin më të madh për Bujar Nishanin, si një shtetar me integritet të lartë, si njeri që i dha nder atij posti dhe në 5 vite të Presidencës së tij pati një transparencë totale në të gjitha vendimet që bëri, brenda dhe jashtë shteti dhe e mbyll me nder të madh atë detyrë shumë të rëndësishme që kreu në këto 5 vite.

 Marrë me shkurtime nga “RTSH 1”