Një pakt mes Mehmet Shehut dhe CIA-s për të eleminuar Enver Hoxhën dhe për të ndryshuar gradualisht kursin e vendit komunist. Një marrëveshje e tillë, e nënshkruar sipas dokumentave rreth viteve ’60, është zbuluar 26 vjet më vonë në ambasadën amerikane në Buenos Aires. Një argjentinas, kryetari i shoqatës së miqësisë Shqipëri-Argjentinë, arriti ta rrëmbejë këtë dokument sekret dhe ua ofroi autoriteteve shqiptare. Teksti i plotë i dokumentit sekret, i cili ruhet ende edhe sot ne arkivin shtetëror, u bë publik për të gjithë lexuesit e Gazetës pas publikimit të tij në 15 korrik të këtij viti. Ndërkohë, sot ne po sjellim dëshminë e njërit prej personazheve kryesore të kësaj loje spiunazhi, ish-ambasadorit shqiptar në Buenos Aires, Pirro Andonit. Pas zbulimit të këtij dokumenti, të cilësuar nga vetë Ramiz Alia si i besueshëm dhe i rëndësishëm, mbeten ende shumë hipoteza rreth tij. Sa i vërtetë mund të jetë ai plan i CIA-s, në qendër të të cilit është tradhëtia e ish-kryeministrit të hekurt dhe më jetëgjatë të Shqipërisë, Mehmet Shehu? Kjo detyrimisht, për kushtet e reja politike dhe ideologjike të sotme, vlen për t’u diskutuar. Gjithçka që mund të jetë servirur si e vërtetë, mjegulluhet nga pikëpyetje të tilla si: A është e vërtetë se ajo letër është përpiluar nga vetë CIA dhe kishte me të vërtetë qëllimet e parashtruara në të? Sa qëndron ideja se ajo mund të ishte sajuar nga vetë Ramiz Alia, për ta përdorur për kredo politike mes anëtarëve të tjerë të Byrosë Politike, në një kohë që ajo i ishte lëkundur disi, sidomos pas vdekjes së Enver Hoxhës dhe fjalëve fyese që kishte lënë Mehmet Shehu në letrën e fundit të lamtumirës, të shkruar vetëm pak minuta para se të vdiste? Për nga mënyra dhe thjeshtësia me të cilën u mor ajo letër me atë karakter sekreti në zyrat e një ambasade me rregulla të hekurta, a mund të kundërshtohet një ide e tillë se gjithçka është servirur nga vetë CIA për një qëllim të caktuar, kryesisht për të ndihmuar në forcimin e pozitave të vetë Ramiz Alisë, i cili, në njëfarë mënyre, kishte marrë një iniciativë të tillë, siç po përshkruhej së fundmi në letër. A mund të qëndrojë fakti se argjentinasi që është paraqitur si “mik i Shqipërisë” mund të jetë afruar edhe nga Sigurimi i Shtetit pranë ambasadorit Andoni, i cili duhej të sillte letrën zyrtarisht për shkak të postit diplomatik që mbante etj.? Këto dhe të tjera pikëpyetje e hamendje mund të ngrihen për të vërtetën e asaj letre që doli së fundmi në mënyrën më të papritur në skenën politike dhe mediatike. Sot kemi vendosur të publikojmë rrëfimin e ambasadorit Andonit, duke u munduar të sjellim një tjetër dëshmi mbi misterin e dokumentit sekret të CIA-s. Gjithnjë duke u përpjekur që të hedhim më tepër dritë mbi këtë ngjarje, por duke ua lënë vetë lexuesve në dorë për të zbuluar të vërtetën.
Pirro Andoni e kujton mjaft mirë atë ditë të largët të vitit 1986 kur zbriti në Rinas së bashku me dokumentin sekret të CIA-s. Ndërsa zbriste shkallët e avionit, ambasadori i Shqipërisë në Argjentinë, shtrëngonte fort pas vetes çantën diplomatike ku ruhej dokumenti intrigues. Atë ditë për herë të parë, nuk pati kohë të çmallej as me fëmijët që e shihnin pas disa muajsh mungese. Ashtu me shpejtësi, u nis menjëherë në zyrën e ministrit të jashtëm të atyre viteve, Reiz Maliles, i cili kishte ndjekur gjithë udhëtimin e tij dhe po e priste me padurim mbërritjen në Tiranë. Pas pak minutash, në zyrën e Maliles, ambasadori Andoni do të finalizonte misionin më të rëndësishëm të jetës së tij, duke i dorëzuar autoriteteve shqiptare dokumentin që vërtetonte tradhëtinë e kryeministrit Mehmet Shehu.
Sot, kur kanë kaluar plot 18 vjet që prej asaj dite, ish- ambasadori ynë në Argjentinë Pirro Andoni, tregon për herë të parë të vërtetën e marrjes së dokumentit. Si i ra në vesh ekzistenca e tij, lidhja që bëri me argjentinasin që konsiderohej “mik i Shqipërisë” dhe si e angazhoi atë në detyrën e sofistikuar për të shtënë në dorë dokumentin e fshehtë. Njoftimet me kodet tepër sekrete që bëri ai me autoritetet më të larta të Shqipërisë dhe urdhrat e vazhdueshëm që merrte prej tyre gjatë kryerjes së operacionit të veçantë. Mënyra si arriti të merrte gjithë përmbajtjen e letrës sekrete dhe sinjali urgjent që i dërgoi Tiranës për të vërtetën e zbuluar befasisht. Urdhri i Reiz Maliles për të mundësuar marrjen e letrës së plotë dhe porositë e veçanta të tij për të pasur vëmendjen në logon amerikane në krye të shkresës sekrete të përpiluar nga CIA.
Zoti Pirro, është e vërtetë se ju keni sjellë një nga dokumentet më sekrete të CIA-s për sa i përket ndërhyrjes së saj në Shqipëri?
Ka qenë viti 1886 kur unë, si kisha dy vjet në detyrën e ambasadorit të jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë në Argjentinë, mësova për ekzistencën e një materiali me karakter tepër sekret për punët e CIA-s, dhe që ishte ndërkohë me tepër rëndësi për çështjet e brendshme të vendit tonë. Këtë dokument, pas shumë peripecish dhe sforcimesh, arritëm ta shtinim në dorë sipas urdhrit që kishim marrë nga zyrtarët më të lartë të Shqipërisë së atyre viteve. Pastaj, nën një konspiracion të jashtëzakonshëm, e mora shkresën e shkruar në spanjisht dhe, si e përktheva duke punuar vetë me makinën e shkrimit që kisha në tavolinën e zyrës, e vendosa në valixhen diplomatike. Pastaj, sipas urdhrit, e solla dorazi, madje vetë deri në Tiranë, ku e lashë në dorën e ish-ministrit të Jashtëm të Shqipërisë së atëhershme, Reiz Maliles. Në fillim u pa me dyshim vërtetësia e saj, por pas dy ditësh, që siç duket i janë dashur udhëheqjes për balancim faktesh, unë u thirra nga autoritetet më të larta dhe u falënderova me fjalët dhe respektin më të madh për shërbimin që i kisha kryer atdheut. Megjithëse, për ta arritur këtë gjë, nuk ishte dhe aq shumë kontributi im direkt, sesa ai i miqve tanë në Argjentinë, ku unë kryeja detyrën e lartë diplomatike, të cilët e kishin treguar jo vetëm me fjalë se ishin “miq të Shqipërisë”.
Si vijoi puna juaj derisa ratë në gjurmët e shkresës sekrete të CIA-s, e cila kishte objekt Shqipërinë?
Sa fillova punën, më vjen në ambasadë një shtetas argjentinas, për të cilin mësova nga shokët e punës se ishte një mik i sinqertë i Shqipërisë. Ai ishte një tregtar i suksesshëm, por që kishte një respekt të veçantë për vendin tonë. Për këtë, edhe para se unë të merrja detyrën e ambasadorit, ai kishte shkuar rregullisht në ambasadën tonë dhe kishte krijuar prej kohësh një shoqëri tepër të afërt dhe konfidenciale me të gjithë punonjësit. Jo vetëm kaq, por ai kishte ndihmuar që ambasada jonë të krijonte lidhje me qarqe të ndryshme tregtarësh argjentinas për interesa të shtetit tonë. Kur mora informacionin e nevojshëm për të, nuk e bëra të gjatë, por e prita menjëherë. Emrin e kishte Gerardo Farrani. Me kalimin e kohës edhe unë u lidha shumë me këtë person, i cili me të vërtetë, ashtu siç më kishin folur, ishte njeri tepër pozitiv dhe një mik i vërtetë i Shqipërisë.
Si shpjegohet që ai argjentinas ishte i apasionuar kaq shumë me vendin tonë të vogël, madje dhe shumë larg vendit të tyre?
Argjentinasi Gerardo Farrani, i cili më vonë do të bëhej emri më i njohur në zyrat e administratës së lartë të Tiranës për aktin që kreu dhe për besnikërinë që tregonte vazhdimisht për vendin tonë, që në vitet ’50 ishte njohur me shqiptarët që kishin emigruar në vendin e tij. Nga ata kishte krijuar një vizion për Shqipërinë dhe traditat tona. Pastaj, duke u shoqëruar vazhdimisht me ta dhe me punonjës të ambasadës sonë, kishte krijuar një vlerësim dhe një simpati të madhe për sistemin politik që ishte te ne. Këtë për faktin, siç thoshte edhe vetë, se e çmonte shumë pavarësinë politike të shtetit nga aleancat dhe nga shtetet “padronë”.
Pse, edhe emigrantët e vlerësonin sistemin komunist që kishte nën kontroll Shqipërinë?
Emigrantët për të cilët po flasim, ishin emigrantë politikë të ikur që nga koha e Zogut për t’u shpëtuar ndëshkimeve të tij, kështu që vetvetiu për këdo që do të ishte kundër Zogut ata do të krijonin simpati, aq më shumë që ambasadat atëherë merreshin edhe me shpërndarje materialesh propagandistike apo duke bërë gojarisht në mënyrë tepër intensive një punë të tillë. Kështu që në atë kohë jo vetë Farrani, por edhe shumë argjentinas të tjerë, kishin krijuar simpati për vendin tonë, aq sa në vitin 1985 kishin krijuar edhe shoqatën e miqësisë Argjentinë- Shqipëri. Në këtë shoqatë pikërisht Gerardo Farrani ishte zgjedhur kryetar. Pas kësaj ai njihej zyrtarisht si mik i Shqipërisë. Puna e tij prej tregtari të suksesshëm bënte që ai të ishte një pjesëmarrës i rregullt në seminare apo në mbledhje të ndryshme biznesi, në të cilat merrnin pjesë edhe shumë diplomatë të huaj, kryesisht punonjës të ambasadave të akredituara në atë vend. Pas marrjes së pozicionit shoqëror të kryetarit të shoqatës së miqësisë me vendin tonë, Gerardo filloi të bëhej i njohur më shumë edhe në qarqe të ndryshme shoqërore, madje edhe diplomatike. Pikërisht në njërën prej ditëve të vitit 1986, kur kisha dy vjet me detyrën diplomatike në atë vend dhe që gjatë kësaj kohe isha njohur shumë, jo vetëm me Farranin por edhe me shumë miq të vërtetë të vendit tonë, mësoj nga ai për letrën tepër sekrete të ndodhur në ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku bënte fjalë për planin e CIA-s për të përmbysur regjimin e Enver Hoxhës në Shqipëri.
Në ç’mënyrë e mësuat dhe çfarë morët vesh në momentet e para?
Siç të thashë, kur e mora vesh një gjë të tillë ka qenë viti 1986. Unë kisha dy vjet në detyrën e ambasadorit në atë vend dhe ndërkohë ish-kryeministri Mehmet Shehu kishte plot pesë vjet i vetëvrarë. Mbaj mend që deri në ato momente jo vetëm nga autoritete të larta të vendit tonë, por edhe nga liderë të partive komuniste të shumë vendeve kishte aludime për të vërtetën e akuzës për Mehmet Shehun, që ishte agjent i shërbimeve të huaja. Ka qenë një ditë kur sa kishte afruar muzgu. Mësoj se më kërkon Farrani për një takim tepër urgjent. Nuk kisha ndërmend ta prisja në atë orë të papërshtatshme, në qoftë se nuk do të më kishte treguar se kishte një problem urgjent dhe që duhej ta bisedonte vetëm me mua, madje menjëherë. Lamë pikën e takimit në një nga kafet e qytetit dhe shkova menjëherë. Sa u takuam, duke mos pritur as për të bërë dhe përshëndetjet e para, ai më tregon se kishte qenë në një bisedë intime me një punonjës të ambasadës amerikane. Unë, ca me të qeshur dhe ca me të vërtetë, i thashë se si kishte mundësi që Miku i Shqipërisë bëhej mik dhe me shtetas të shtetit që konsiderohej Armik i Shqipërisë. Ai nuk e bëri të gjatë dhe më tha se nuk kishte pasur ndonjë dëshirë që të takohej me punonjësin e ambasadës amerikane, po të mos e kishte ndaluar ai vetë i pari. Konkretisht, i nxitur nga një padurim dhe një kuriozitet i madh, madje pa vënë re se çfarë po i thoja unë, më thotë: “Më ndali një punonjës i ambasadës amerikane, teksa ishim në një takim biznesi dhe më pyeti se çfarë më lidhte aq shumë me ju shqiptarët. i thashë se asgjë tjetër përveçse çështjeve të mia të biznesit. Pas kësaj më thotë: ‘Në ambasadën tonë është një material tepër sekret i përpiluar nga CIA-a, i cili flet për një plan operacional të shkallës më të fshehtë dhe që në të është përfshirë edhe një nga udhëheqësit më të mëdhenj të Shqipërisë. Në qoftë se dëshiron të njihesh me këtë gjë, për kuriozitet, mund të të ndihmoj’. Kjo është e gjitha, nuk di si të veproj, si mendoni juve se duhet të bëjmë? A ju intereson si shtet të njiheni me këtë gjë?”.
Si reaguat në një situatë të tillë, kur papritur po mësonit një informacion të tillë?
Mua menjëherë më shkoi mendja se flitej për Mehmet Shehun, për të cilin ishte e njohur tashmë akuza për të, se ai kishte qenë agjent, madje jo i një por i disa agjenturave dhe për këtë ishte shpallur armik. Por në një rast të tillë, kur ekzistonte konkretisht një dokument real dhe aq më shumë që ishte në ambasadën e shtetit ku unë shërbeja, më erdhi fare e papritur dhe të them të drejtën u shokova për disa çaste, por që nuk e dhashë veten. E pyeta Farranin se çfarë pune bënte në amabsadën e shtetit të tij amerikani që po servirte një lajm të tillë. Përgjigjja e tij ishte se ai punonte pikërisht në arkivin e ambasadës, madje më tha dhe emrin e mbiemrin, por që mua më kujtohet vetëm emri i tij që quhej Mendes. Mbiemrin nuk e mbaj mend.
Çfarë bëtë në këtë rast?
Unë, si mora një informacion të tillë, sipas detyrës sime ligjore dhe të padiskutueshme, si për çdo veprim që lidhej me probleme sekrete, aq më shumë kur në to përfliteshin emra të shtetarëve të lartë, njoftova menjëherë Ministrinë tonë të Jashtme, madje vetë ministrin Reiz Malile, të cilit i bëra të ditur informacionin e marrë.
Nuk kishit të drejtë të vepronit me iniciativë, për të zbuluar gjithçka, para se të njoftonit Tiranën?
Jua shpjegova pak më lart se ishin rregulla tepër strikte dhe me përgjegjësi të madhe, që në të tilla raste, kur flitej për materiale të rëndësive të këtilla, duhej të njoftoje me patjetër Tiranën. Pra unë nuk kisha të drejtë të bëja zbulime të tilla, të kësaj natyre dhe që lidheshin jashtë profilit të detyrës sime diplomatike, pa marrë aprovim për çdo veprim. Pra, unë pyeta nëse duhej të interesohesha apo jo.
Ja plani i CIA-s për eleminimin e Enverit
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Buenos Aires – Argjentinë
Përkthim i teleteksit nr.321-40-60 Nëntor 1975.
Objekti: Për t’uvendosur në biblotekën e ambasadës. Shumë sekret. Vetëm për njohje të zotit Ambasador.
Çështja: Shqipëria.
Në shtatorin që porsa kaloi, u zhvillua në Nju Jork një mbledhje me një mik, të cilin po e quajmë M-008, udhëheqës i qeverisë shqiptare. Me atë u arritën një sërë përfundimesh: M-008 u zotua të marrë pushtetein, të zëvendësojë plotësisht Enver Hoxhën dhe pasuesit e tij. Agjenti ynë ka vetëm një pjesë të pushtetit.
Propozon të veprojë kështu:
Të ftojë për drekë Hoxhën dhe t’i hedhë në pije helm me veprim të vonuar për të shkaktuar vdekjen e tij. Agjenti ynë na tha se kjo është e vetmja rrugë. Për më tepër është e domosdoshme të bëhet sepse Hoxha jeton duke pasur një dashuri të madhe nga masat të njëjtë si ajo e Gandit. Miku ynë, e konsideron plotësisht të mundshme, se do të zgjidhet për të vazhduar Hoxhën dhe me kohë, afërsisht një vit, do të fillojë të zëvendësojë vazhduesit e Hoxhës, duke vendosur në vend të tyre njerëzit e tijë të besuar. Në rast se do të fitojë lëvizja, kemi diskutuar një program minimum, i cili vazhdon si më poshtë:
1. Vendosjen e mardhënieve zyrtare me të gjitha vendet e Perëndimit më të rëndësishme: Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Anglinë. Konflikti i arit shqiptar do të zgjidhet nga gjyqi ndërkombëtar i Hagës.
2. Shqipëria do të bëhet anëtare e organizatave ndërkombëtare të ekonomisë: Fondit Ndërkombëtarë dhe organeve të tjera të krijuara me këtë qëllim.
3. Të bëjë paqe me fqinjët e tij (Jugosllavinë dhe Greqinë) për të zhdukur me të parën të gjitha kundërshtimet e ardhura nga lufta personale dhe ideologjike e Enver Hoxhës dhe e grupit të tij dhe duke firmosur me të dytën një traktat të paqes, miqësisë e kooperimit që hap nëpër të rastet kufijtë e vendit.
4. Qeveria do të jetë socialiste,nuk do të kthehet në regjimin e pëparshëm. Nuk do të njihen dëmshpërblimet e pronarëve të mëparshëm të tokave, por Shqipëria do të braktisë politikën e saj të izolimit ndërkombëtar.
5. Qeveria e re do të zgjidhet brenda një kohe prej 3/5 vjetësh duke pranuar rilindjen e të gjitha partive politike, në formë të gjerë. Në qoftë se do të dështojë në tentativën e tij e do të zbulohet, agjenti ka kërkuar dhe për këtë është siguruar se do ti jepet strehim politik në SHBA, në mungesë të këtij në ndonjë vend mik. Për këtë ai ka kërkuar dhe është siguruar se do ti jepen 3.000.000 dollarë amerikanë.
Me këtë rast është zotuar të denoncojë të gjithë llojet e krimeve që ai parashikon se do të zhvillohen në Shqipëri nga ana e Hoxhës e vazhduesve të tij.
Po japim një shpjegim mbi agjentin për ta patur në kujtesë në të ardhmen:
Bëhet fjalë për një njeri shumë ambicioz. i tillë është edhe plani i tij. Nuk ka ndryshuar në ideologjinë e tij. Ai vetëm na bashkohet me çështjen e bashkëekzistencës me perëndimin dhe me fqinjët e tij. i kemi sygjeruar, që deri sa të kryhen veprimet të jetë i bindur ndaj Hoxhës dhe vazhduesve të tij. Në rast të kundërt mund të zbulohet. Kjo do të ishte fatale për suksesin e planit. Të gjitha këto duhet të mbahen parasysh, në funksion të suksesit të planit. Duhet të përgatitemi të kemi mardhënie diplomatike të plota. Tema është e një karakteri shumë sekret. Nuk do ti jepet ambasadave të tjera. Ambasadori i Buenos Airesit ( për këtë njoftoheni nëpërmjet këtij) do të jetë i caktuar ambasador në Tiranë në rast suksesi.
Buenos Aires 1960
“Enveri më bëri ambasador pas librit mbi konfliktin në ishujt Malvine”
Para se të emërohej ambasador i Shqipërisë në shtetin e largët të Argjentinës, Pirro Andoni ka qenë në detyrën e shefit të sektorit të jashtëm të Institutit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, i cili ishte në përbërje të aparatit të Ministrisë së Jashtme. Drejtor i këtij instituti në ato vite ka qenë pikërisht Sofokli Lazri, zyra e të cilit ishte në selinë e Komitetit Qendror të Partisë së Punës. Në institut ai kishte shkuar në vitin 1979, bashkë me shumë kuadro të tjerë, si njohës i mirë i politikës së vendeve në zhvillim, si atyre të Afrikës, Amerikës Latine etj. Deri në atë vit Pirro Andoni kishte qenë për 15 vjet në sektorin e jashtëm të Radio-Tiranës. Atje, si njohës i shkëlqyer i gjuhës spanjolle, kishte mundësuar bërjen e qindra e qindra artikujve dhe komenteve në lidhje me shumë vende të Perëndimit, të cilat udhëheqja e atëhershme i dëgjonte në radio ose i lexonte nëpër faqet e gazetave apo dhe në buletinët e posaçëm që dilnin çdo muaj. Ndërkohë që gjatë 5 vjetëve që shërbeu në institutin më të rëndësishëm politik të shtetit, ku punonte së bashku me Muhamet Kapllanin, Pirro Andoni i pasuroi shumë njohuritë e tij në lidhje me çështjet ndërkombëtare, sidomos për vendet e Perëndimit. Për sa më sipër, pas një pune të gjatë studimore, ai arriti të bënte një libër analitik me karakter diplomatik, që ia kushtonte çështjes më aktuale me karakter ndërkombëtar të asaj kohe, dhe pikërisht konfliktit të armatosur që kishte shpërthyer mes Anglisë dhe Argjentinës për çështjen e ishujve Malvine, të ndodhura në jug të Argjentinës. Në këtë libër ai u jepte të drejtë argjentinasve për vendosjen e kontrollit në ishull, duke aluduar se kishte ikur koha e mbajtjes së zonave koloniale. Një sasi librash të këtillë i mori ambasada jonë në Argjentinë, të cilat i përktheu dhe ua nisi të gjitha institucioneve zyrtare të shtetit të atjeshëm, të cilat kishin shumë nevojë për mbështetje nga jashtë. Por në të njëjtën kohë Shqipëria po përdorte edhe forma për të përfituar kredo politike. Deri në atë periudhë nuk kishte shkruar ndonjë i huaj një libër të posaçëm për çështjen në fjalë, gjë për të cilën Argjentina zyrtare kishte shumë nevojë, kështu që libri i analistit nga Tirana ishte i pari deri në ato momente. Ndaj të shkruarit e një libri të tillë nga një shtetas i huaj i një shteti të largët dhe të vogël siç ishte Shqipëria, bëri përshtypje të madhe në Argjentinë. Detyrimisht atij iu bë një jehonë e jashtëzakonshme në atë vend. Këtë vlerësim që i bëhej nga qarqet e atjeshme zyrtare, udhëheqja jonë komuniste e mësonte nëpërmjet informacionit që i vinte nga burimet e saj diplomatike. Në këto momente, për të ndikuar disi në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, Enver Hoxha propozoi që pikërisht autori i atij libri, që tashmë ishte bërë i famshëm, të shkonte ambasador në Argjentinë.
Zoti Pirro. Ju thatë se për çdo veprim që ndërrmerrnit për sa i përkiste letrës sekrete të përpiluar nga CIA, komunikonit me Tiranën. Si e bënit këtë komunikim në këto raste?
Ishte një komunikim tepër sekret, duke përdorur kode shumë të sofistikuara në zbërthim.Çfarë përgjigje morët pas informacionit që dhatë?
Po me të njëjtin konspiracion, ministri Malile, që kuptohej se ishte konsultuar dhe me udhëheqjen më të lartë të shtetit, më thotë që të mundohesha të merrja informacionin e plotë, me një kusht që në themel të tij të ishte e vërteta e padiskutueshme. Kështu që, sipas detyrës së marrë, unë e thërrita Farranin sërish dhe i dhashë porosi që të bënte shumë kujdes, por që duhej me patjetër të sillte tërë informacionin e matereialit. Që nga ky moment kishte filluar operacioni ynë i fshehtë për të marrë atë informacion tepër sekret, që lidhej për vendin tonë. Për këtë gjë ishte në dijeni tashmë edhe drejtimi më i lartë i shtetit të atëhershëm, të cilët nuk mund të diskutohet se e prisnin me padurim të jashtëzakonshëm. Miku ynë argjentinas Gerardo Farrani, tashmë me mision të miratuar nga Tirana, madje edhe nga vetë sigurimi i fshehtë shqiptar, u takua sërish me shokun e tij amerikan me emrin Mendes, me të cilin tashmë e kishte shtuar disi shoqërinë, madje kishte pirë edhe ndonjë kafe. Ai, sipas instruktimit që i kishim bërë ne, pasi e kishte mbajtur një kohë tepër të gjatë në shoqërinë e tij, si rastësisht i kishte kërkuar edhe një herë t’i tregonte për atë rastin e shkresës sekrete për çështjen shqiptare, se nuk ia merrte mendja që në CIA të përzihej edhe një udhëheqës i lartë komunist i atij shteti. Pasi kishte filluar Mendesi t’i shpjegonte rreth temës dhe përmbajtjes së letrës, pyetjet nga ana e Farranit për hollësi të mëtejshme u shtuan në mënyrë të qëllimshme, derisa mësoi të gjithë sa thuhej aty. Pas kësaj, sipas planit tonë sekret, ai erdhi sërish te unë për të më sjellë atë çka kishte mësuar.Çfarë flitej konkretisht në atë shkresë që po bëhej legjendë dhe që kishte aq konspiracion?
Flitej për një organizim perfekt të një operacioni të CIA-s të planizuar në tri faza, pas zbatimit të të cilave nëpërmjet Mehmet Shehut do të arrihej eleminimi i Enver Hoxhës dhe pas kësaj do të rrëzohej pushteti politik në Shqipëri. Farrani, ndërsa më tregonte mua ato çka kishte mësuar, mundohej, duke qenë tepër i sforcuar, të tregonte saktësi, duke mos harruar madje as gjërat më të vogla. Unë, pas kësaj, sipas detyrës sime, informova sërish ministrin për të gjithë përmbajtjen e atij materiali, i cili në këto momente vazhdonte të ndodhej në mister në arkivin tepër sekret të ambasadës së supershtetit të fuqishëm të Perëndimit.Mendonit se rrëmbimi i materialit mund të ishte fare i pamundur?
Derisa nuk e kishim shtënë në dorë atë çka dëshironim, çdo gjë e mendonim. E dinim se nuk mund të ishte edhe aq e thjeshtë sa mund të mendohej. Mund të ndodhte që në një rast të tillë, për t’i kërkuar fotokopjimin e saj, punonjësi i ambasadës amerikane të mos pranonte të arrinte deri këtu. Për ne në një rast të tillë do të thoshte dështim, pasi asgjë nuk do të kishte vlerë pa faktet e pakundërshtueshme, dhe fakt në atë rast do të ishte vetëm letra dhe asgjë tjetër. Gjithsesi, ne do të bënim ç’ishte e mundur për të realizuar atë të cilën në këto momente e konsideronim detyrë absolute. Ajo detyrë që ne kishim marrë përsipër ato ditë kishte kaluar në një ankth të madh edhe Tiranën zyrtare. Farrani, menjëherë sa ndahej nga unë, vazhdonte punën, ku bënte takime të shpeshta me amerikanin Mende dhe bisedonte me të për gjithfarëlloj bisedash, por vetëm për punën e letrës nuk fliste, pasi ashtu instruktohej nga ne. Kemi parasysh se ai çdo veprim, ashtu siç dhe u shpreha më parë, e bënte i instruktuar mirë. Ne nuk e këshillonim që të hapte problemin e letrës sekrete, me qëllim që të mos krijonim idenë se për atë letër tani ishin vënë në dijeni të gjitha instancat më të larta të shtetit shqiptar dhe ndiqnin me ankth çdo veprim të argjentinasit që ishte vënë në qendër të asaj loje jo pa rrezik.Mund të përbënte rrezik për Gerardo Farranin ai veprim që kishte ndërmarrë?
Patjetër që përbënte, pasi, po të dekonspirohej qëllimi, qoftë edhe rastësisht, kur amerikani Mendes ta rikrijonte bisedën me ndonjë punonjës tjetër të ambasadës, për atë çka kishte treguar dhe për interesin që tregonte Farrani, nuk do të kalonte lehtë. Këtu fjala është se nuk të falte kush kur kaloje në shërbim të ndonjë sigurimi tjetër, aq më shumë kur mund të flitej që t’i shërbeje një sigurimi të një shteti komunist. Por, megjithatë, miku ynë nuk donte t’ia dinte për shumë hollësi. Ai në takimet që kishte shpeshtuar me amerikanin donte t’i krijonte atij idenë e një shoqërie të sinqertë. Kështu që pas shumë takimesh dhe pas shumë bisedash për gjithfarëlloj kuriozitetesh, kur të rihapej gjoja si shumë rastësisht edhe biseda e letrës për Shqipërinë, të mos lihej dyshim se çdo pyetje bëhej e organizuar dhe e paramenduar.
Që ta shkurtojmë disi subjektin pa interes për lexuesin tuaj, po ju them se pas shumë kohësh dhe pas shumë bisedash me Mendesin, si rastësisht, në një moment Farrani i kërkon të gjithë tekstin e letrës për të cilën kishin folur pak ditë më parë. Pas disa arsyetismesh dhe aludimesh nga ana e arkivistit amerikan, duke mos ditur se për se duhej konkretisht, së fundmi u arrit të merrej dhe teksti i letrës së shumëpërfolur në qarqet më sekrete të shtetit tonë. Unë e lexova me një interes të jashtëzakonshëm dhe me një frymë, duke përpirë dhe detajet më parëndësi të saj.Për çfarë bënte fjalë konkretisht gjithë ajo letër, që i kishit kushtuar kaq rëndësi dhe që së fundmi morët të gjitha të dhënat?
Ajo, siç të thashë edhe në fillim, pak a shumë kishte gjithë planin e CIA-as për të përmbysur pushtetin politik në Shqipëri. Tashmë ajo letër është bërë e mundur të merret nga redaksia e gazetës suaj në arkivat e Ministrisë së Jashtme, ku u vendos pasi e sollëm ne, madje edhe të botohet nga Dashnor Kaloçi pikërisht më 16 korrik të këtij viti. Duhet të dini se ajo faksimile që ju keni botuar është tamam letra që unë kam përkthyer nga materiali origjinal i shkruar në spanjisht, madje në fund të saj është firma ime si autor i përkthimit, pasi, për shkak të konspiracionit, nuk kishte dijeni asnjë punonjës i ambasadës. Kështu që unë jo vetëm e përktheva, por edhe e shkruajta me dorën time, pikërisht me makinën që kisha në zyrën time të ambasadorit. Për sa i përket zbërthimit të atij plani që përshkruhet në letër, kishte të bënte me operacionet sekrete të drejtuara nga CIA, të ndarë në tri faza, në fund të të cilit Shqipëria do të ishte me një sistem tjetër politik dhe e orientuar krejt nga Perëndimi. Në të flitej për një udhëheqës të lartë të shtetit komunist, që do të ishte në qendër të gjithë këtij organizimi. Nuk bënte fjalë për emra konkretë, por vetëm për karakteristika dhe për pseudonime të tij, gjë që ne nuk na linte asnjë hije dyshimi se ishte fjala direkt për Mehmet Shehun, i cili në atë kohë ishte i shpallur si poliagjent i shumë shërbimeve të huaja. Siç po kuptohet, Enver Hoxha ka rënë në sinjale të informacioneve të tjera paralele, dhe të ngjashme me atë që po na binte ne në dorë në ato momente. Gjithsesi, ai shërbente që edhe opinioni i lartë zyrtar i shtetit të krijonte një ide të qartë për sa aludonte. Madje, unë kam konstatuar vetë edhe kryetarë të partive komuniste të vendeve të ndryshme, si ai i Spanjës, ku unë i përktheja, të cilët nuk besonin versionin e akuzës së Mehmet Shehut.Çfarë bëtë si e morët në dorë të gjithë tekstin e atij materiali sekret?
Pasi e mora, sipas procedurës, bëra sërish raportimet përkatëse te ministri, i cili nuk diskutohej që e përcillte në organe akoma më të larta të shtetit. Nga Tirana më erdhi urdhri tjetër që ta merrja materialin shkresor në ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës të plotë, duke mos i munguar asnjë element identifikimi, ashtu siç ishte në dosjen sekrete. Kryesisht detyra përcaktonte dhe elementin kryesor të shkresës, e cila duhej të ishte patjetër me logon amerikane në krye, madje edhe me etiketën identifikuese të shkresës, në të cilën të ishte e shkruar data dhe numri i portokollit të saj. Nuk më ngelej gjë tjetër veçse të vazhdoja punën intensive me mikun argjentinas. Ai e takoi sërish punonjësin e ambasadës dhe i tha hapur se derisa e çoi deri këtu këtë punë, le t’ia jepte të gjithë shkresën të fotokopjuar, ku të ishte e plotë e gjithë faqja. Punonjësi amerikan për një çast e pyeti se përse e kërkonte një gjë të tillë deri në këto detaje!? Ndërkohë që Farrani ishte përgjigjur se, meqenëse kishte marrëdhënie të vazhdueshme me shqiptarët, donte të kishte njohuri të plota mbi ta. Pra, ai i linte të kuptonte bashkëbiseduesit se për të vlente shumë njohuria që përvetësonte, por që ajo të ishte e plotë dhe pa shtrembërime, aq më shumë kur ishte e vërtetuar saktësia e saj. Kështu, arkivisti i ambasadës gjigante u bind dhe nuk e stërholloi shumë çështjen, derisa e la të gjithë dokumentin e fotokopjuar në dorën e mikut të tij të ri të njohur së fundmi, por me të cilin ishte lidhur shumë shpirtërisht. Ai as që mund ta merrte me mend se ai dokument që ditën e nesërme do të fluturonte drejt Shqipërisë, destinacionin e së cilës kishte pasur vetë plani i konsideruar nga ata tepër sekret.Si vepruat pas kësaj?
Do të veproja sipas urdhrit që do të më vinte. Konkretisht, me kodin sekret mora urdhrin që ta sillja vetë në Tiranë. Ashtu bëra. Gjatë natës bëra përkthimin e saj në zyrën time pa praninë e askujt, duke e shkruar vetë me makinën që kisha për kësisoj rastesh në zyrë. Pastaj e firmosa me dorën time në fund si autor i përkthimit të saj dhe kështu është tashmë edhe në arkivin e Ministrisë së Jashtme, e shkruar që atëherë me makinën time, ndërsa në fundin e saj është nënshkrimi im. E vendosa në valixhen diplomatike për të bërë lëvizjen e saj me procedurat e postës diplomatike. Urdhrin e kisha që ta sillja vetë në Tiranë dhe kështu, sipas tij, u nisa menjëherë. Çantën nuk e lëshova në asnjë moment nga dora, derisa pas 13 orësh fluturim arrita në Rinas. Aty kuptova që isha në masa të rrepta sigurie për të mos më ndodhur qoftë as edhe më i vogli incident. Sa zbrita nga avioni, takova vetëm disa çaste fëmijët që në atë periudhë po i mbaja në Tiranë dhe që, sipas porosisë sime, kishin dalë në Rinas për t’u çmallur, dhe u nisa rrufeshëm me makinën që më kishin dërguar posaçërisht. U ndala vetëm në zyrën e ministrit Reiz Malile, i cili më priste me një padurim të jashtëzakonshëm dhe me derën hapur, sikur donte të shkurtonte sa më shumë kohën e marrjes së asaj letre të rëndësisë tepër të veçantë. Sa hyra në zyrën e ministrit dhe u takova me të, i vendosa mbi tavolinë valixhen në të cilën ndodhej letra e shumëpritur. Në ato momente më ndodhi dhe një diçka e papritur, që për momentin më shokoi. Ministri më thotë në mënyrë provokative, nëse do ta quaj sot unë kështu atë gjest, se si arrita ta shtija në dorë një material të tillë me një thjeshtësi të habitshme. U preka disi, se nuk e prisja që ai të shprehej edhe me mosbesim ndaj meje, por megjithatë nuk e dhashë veten, por i shpjegova me durim të gjithë historinë. Pas kësaj, ai më uli në një tavolinë që ndodhej po brenda zyrës dhe më tha që të shkruaja me dorën time e të përshkruaja edhe një herë të gjitha sa më kishin ndodhur dhe gjithë historinë, derisa kisha shtënë në dorë atë material. Ashtu bëra. Për rreth një orë shkrova me shkrim dore me hollësinë më të madhe të gjithë atë histori, që kishte përfunduar me marrjen nga arkivat amerikane të një materiali të tillë të një karakteri tepër sekret. Pas kësaj ministri, duke e marrë në dorë shkresën në të cilën porsa kisha bërë sqarimet me stilograf më lejoi të largohesha për në shtëpi dhe vetë u nis për në selinë e Komitetit Qendror të Partisë. Nuk e vija në dyshim se po shkonte në takim me Ramiz Alinë.Nuk ju thanë gjë juve më pas?
Pas dy ditësh më thërresin sërish dhe më mbytën në lavde, duke e ngritur në qiell punën time që, sipas tyre, ishte me vlera të mëdha, pasi u vinte kapak shumë hamendësimeve dhe diskutimeve që lidheshin me vetë figurën e njeriut të hekurt të udhëheqjes shqiptare, Mehmet Shehut. Por ajo letër shërbente për të marrë masa edhe ekipi drejtues i shtetit, pasi Shqipëria ishte vënë në vëmendjen e CIA-s, prandaj të gjenin mundësi efikase për kundërvënie apo dhe për mbrojtje.Pse plani i CIA-s për Shqipërinë, ndodhej në Argjentinë
Nga intervista me ambasadorin tonë në vitet 1986-’91 në Argjentinë, zbardhet tashmë historia më enigmatike që u krijua në atë periudhë, e cila kishte të bënte me ish – kryeministrin Mehmet Shehu. Gjithçka në atë kohë ka nisur pas një njoftimi të befasishëm në zyrat e autoriteteve më të larta të shtetit komunist, i cili prej një viti drejtohej nga Ramiz Alia. Shumë pyetje dhe shumë hamendësi u ngritën në atë kohë për të dhëna të ndryshme në lidhje me elemente të asaj historie misterioze, por që në të shumtën nuk u mësuan asnjëherë. Pikërisht sot, kur kanë kaluar më se 18 vjet nga ajo ngjarje dhe kur gazeta jonë tashmë ka bërë të mundur jo vetëm zbardhjen e plotë të saj, por edhe botimin e saktë të dokumentit aq të përfolur në qarqet më të ngushta të hierarkisë së atëhershme shtetërore, mësohet edhe enigma më e çuditshme e ngelur e pazgjidhur që nga ato vite. Është çështja se përse pikërisht ai dokument, në të cilin ishte përpiluar nga CIA një plan ambicioz, të vendosej në një nga ambasadat e Amerikës së Jugut aq larg Shqipërisë, dhe pikërisht në Argjentinë. Sipas shpjegimit të vetë ish-ambasadorit Pirro Andoni, mësohet se brenda atij plani operacional të CIA-s, me qëllim rrëzimin e pushtetit politik në Shqipëri, ishte përfshirë edhe ambasada e SHBA-së në Argjentinë. Ai kishte saktësuar se menjëherë pasi të realizohej pika e tretë e tij, kur Shqipëria të kishte bërë ndryshimin politik dhe diplomatikisht të pozicionohej në krah të SHBA-së, pikërisht punonjësit e profileve specifike të ambasadës së atjeshme, me në krye vetë ambasadorin, do të merrnin menjëherë misionin diplomatik në Shqipëri. Kështu që gjatë kësaj periudhe që do të ndiqej zbatimi i planit, ai personel i specifikuar do të ishte në korrent të të gjithë zhvillimit të ngjarjeve, me qëllim që, pas marrjes së detyrës, ai të kishte njohuri të plota për vijimësinë e procesit politik dhe diplomatik. Pikërisht për këtë arsye ai dokument aq sekret ishte dërguar edhe në ambasadën amerikane në Argjentinë.
Ramiz Alia e lexoi letrën e CIA-s, para Byrosë Politike
Ishte tetori i vitit 1986 kur Tirana zyrtare arriti të shtijë në dorë një nga dokumentet ndoshta më sekrete që ishte marrë deri atëherë nga CIA dhe që kishte objekt pikërisht rrënimin përfundimtar të pushtetit politik në Shqipëri. Materiali i ardhur me urgjencën më të madhe pas urdhrit që iu dha ambasadorit tonë në Argjentinë, Pirro Andonit, është mbajtur përkohësisht në zyrën e vetë ministrit të Jashtëm Reiz Malile. Zoti Malile, siç bëhet e ditur së fundmi, megjithëse ka qenë në korrent, madje në drejtim të të gjithë urdhrave gjatë përpjekjeve për ta shtënë në dorë atë çka kishte së fundmi në tavolinën e zyrës së tij, ka shfaqur menjëherë shenja mosbesimi. Për këtë ai, si uli në datën 1 nëntor në tavolinën e sallonit të tij të zyrës ambasadorin e porsaardhur nga Argjentina dhe si pa me vëmendje atë letër që i kishte shkaktuar aq tension dhe nerva deri sa arriti ta kishte në dorë, e udhëzoi Andonin që me anën e një stilolapsi të zakonshëm të përshkruante me shkrim dore gjithçka që kishte ndodhur gjersa ishte bërë e mundur marrja e asaj letre të rëndësishme. Ministri i Jashtëm, ndërkohë që jepte e merrte sqarime me ambasadorin Andoni, ka theksuar se, në rast se ishte e vërtetë ajo çka shkruhej në atë letër me logo amerikane, shuheshin shumë dyshime dhe hamendje në lidhje me të vërtetën dhe misterin që kishte mbuluar vdekjen e ish-kryeministrit Shehu, pavarësisht se zyrtarisht akuzat mbi të kishin qenë të pakursyera. Pas kësaj, ministri është ulur vetë në makinën e shkrimit të ndodhur diku në një cep të tavolinës së tij, dhe ka shkruar me të një shkresë përcjellëse për materialin e rrallë të ardhur nga përtej kontinentit. Pas kësaj, së bashku me dokumentin sekret amerikan, si dhe me deklaratën shkruar me dorë nga ambasadori protagonist i gjithë asaj historie, ai është nisur po me të njëjtën urgjencë për në zyrën e Ramiz Alisë.
Nuk kishin kaluar veç dy ditë dhe ambasadori e kishte dorëzuar letrën te kryediplomati shqiptar Reiz Malile, kur ky i fundit e kishte thërritur sërish në zyrë për t’i përcjellë falënderimet e tij më të mira për detyrën e kryer në interes të popullit dhe të atdheut. Pas kësaj, pak orë më vonë është bërë një mbledhje e posaçme e Byrosë Politike, në të cilën është prezantuar edhe plani i rrallë, të cilin byroistët për herë të parë e shikonin me fakte. Urdhri i hierakisë së lartë shtetërore të asaj kohe ishte që gjithsesi ai material të ruhej me sekretin më të madh në dokumentacionet e rëndësisë së veçantë shtetërore, të skeduar nën okelion “Tepër sekret”. Së fundmi, letra e rrallë ka ndenjur jo pak në zyrën e Ramiz Alisë. Më vonë, me shënimin e njerëzve kompetentë të kabinetit të Sekretarit të Parë të PPSH-së Alia, është dhënë porosia e liderit komunist për të kaluar dokumenti zyrtarisht në arkivën sekrete të shtetit.