Nga Albert Vataj
“Jam kundër zgjerimit të prezencës turke në Shqipëri. Nuk duam turbulenca të politikës turke”… Është kjo deklaratë e fuqishme që ka bërë në Komisionin parlamentar të Ekonomisë, deputeti demokrat, kreu i LZHK, Dashamir Shehu.
Më në fund foli dikush. Guxoi të ngrejë zërin një vullnet i kthjellët politik. Duket se gjithë kjo majisje e plagës duhej një shkas që ajo të shpërthente. “Nuk mban më ujë pilafi” kur thotë populli. Mjaft u dhamë turqëve. Morën çfarë kërkuan dhe po shfrytëzojnë mizorisht rezurset ekonomike shqiptare.
Pas komisionit të ligjeve edhe komisioni parlamentar i ekonomisë ka diskutuar projektligjin për ndërtimin e aeroportit të Vlorës. Anëtarët e opozitës te të dy komisionet janë shprehur kundër konsorciumit turk në këtë projekt. Deputeti demokrat, Dashamir Shehi ka qenë i drejtpërdrejtë në qëndrimin e tij kur u shpreh se është kundër investimeve turke në vendin tonë.
“Jam kundër zgjerimit të prezencës turke në Shqipëri. Nuk dua investimeve turke. Nuk duam turbulenca të politikës turke në vendin tonë. Bëni oferta për vendet perëndimore.
Kromin, metalurgjinë, shkollat, aeroportet po i marrin turqit“, u shpreh Shehi, ndërsa pas këtyre deklaratave, ka braktisur punimet e komisionit parlamentar të Ekonomisë, citohet nga javaneës.al.
Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe ish-ministri i Transporteve nga LSI, Edmond Haxhinasto.
“Pse nuk i lihet një investitori shqiptar ndërtimi i aerportit? Aeroporti i Rinasit është ndërtuar nga investitor shqiptar pavarësisht se paratë erdhën nga jashtë”, tha Haxhinasto.
Megjithëse është tepër vonë, nuk është dhe nuk duhet konsideruar një zë në shkretëtirë, ajo që më shumë se zëri i opozitës është zëri i një mase të tërë njerëzish, të cilët mërtypin bashkë me kafenë e mëngjesit dhe retorikën politike influencën dominuese të turqve në ekonominë shqiptare. Konsorciumi turk për ndërtimin e aeroportit të Vlorës duke se ka hapur “Kutinë e Pandorës” për të mos e lënë të mbyllur përfundimisht atë rrezik që sa vjen dhe bëhet më prezent në Shqipëri, e pse jo duke u bërë potencialisht si një rrezik edhe për sovranitetin e vendit. Si mund të flasësh për integritet, paprekshëmri të sovranitetit në kushtet kur një forcë kaq potente ekonomike, siç është ajo turke, e cila ka gllabëruar sektorët më vital të ekonomisë shqiptare. Se cili do të jetë vijimi i këtij reagimi nuk dihet, por është në dobi të interesave shqiptare ruajtja e atyre resurseve të mbetura dhe rishikimi i marrëdhënieve me investitorët turq në të mëtejmën.
Ndoshta ky reagim i Dashamir Shehit dhe ky solidaritet i Edmond Haxhinastos do të mbeten këtu ku eksplodoi, gjithsesi ai është një zë, është nisja e ristrukturimit të një qëndrimi politik që do të frenojë shitjen e mëtejshme të ekonomisë tonë kombëtare dhe përmbushjen e interesave përfituese të pushtetarëve në kurriz të sovranitetit.
Turqia ka qenë dhe mbetet një aleat strategjik i Shqipërisë, dhe këtë politika shqiptare e ka blerë duke shitur gjithçka deri në cakun e vasalizimit turk të shqiptarëve. A duhet lejuar kjo ende?