Ka nisur numërimi mbrapsht i orës së qeverisjes “Rama”

Duket se arroganca, cinizmi, prepotenca, injorimi, fyerja, nënçmimi, fudullëku, nuk i kanë ardhur në ndihmë Edi Ramës në këtë ndeshje popullore, në këtë betejë të vërtetë për mbijetesë të shqiptarëve, të cilët kanë vërshuar si një uragan në të gjithë vendin, nga Veriu në Jug, nga Lindja në Perëndim.

Shkodër, Lezhë, Mirditë, Durrës, Tiranë, Lushnje, Korçë, etj, është kjo harta e valës së protestave që ka përfshirë gjithë vendin. Kudo protestohet, në çdo orë dhe në çdo rrugë. Kudo ndihet i fuqishëm reagimi popullor. Vetë qytetarët kanë marrë në duar frerët e kësaj ndeshjeje me një qeveri të korruptuar dhe klienteliste, me shtetarë të lidhur me interesat përfituese abuzive, me mafien dhe krimin që kërkojnë të bëjnë ligjin duke marrë nën kërcënim mbijetesën e njeriut të thjeshtë.

Kërkesës për uljen e çmimit të karburanteve, e cila reflekton në të gjitha shërbimet dhe produktet e konsumit bazik, i janë shtuar edhe kërkesa të tjera me karakter ekonomi. Kryeministri Rama, duket se është zënë në befasi nga ajo që po ndodh. Atij nuk i ka ngecur justifikimi i shtrenjtimit të kostos së jetesës së shqiptarëve për shkak të luftës në Ukrainë. Shoqërisë civile i janë shtuar studentët e Shkodrës, Tiranës dhe Korçës, potenciali i i cili rrit energjinë e reagimit popullor. Rrugët rajonale dhe nacionale janë bllokuar duke sjellë një asfiksim të qarkullimit, si fuqi reaguese, si zë që duket se dëgjon më mirë Edi Rama, i cili nga ana e tij, mblodhi të ashtuquajturin Bord, jo për të zgjidhur situatën, por për të mashtruar qytetarët, të cilët nga ana e tyre e kanë refuzuar këtë taktikë të Ramës, duke kërkuar reflektim total në uljen e barrës së mbijetesës, që rëndon mbi të gjithë qytetarët, por më së shumti me shumicën prej tyre, që jetojnë me paga minimale, pensione dhe ndihmë ekonomike. Nesër pritet një marshim kombëtarë në Tiranë, si përshkallëzim i kësaj proteste, ndërkohë që orë pas ore, protestuesit mbajnë të bllokuar rrugët dhe ndeshen me policinë, e cila ka arrëstuar shumë prej protestuesve paqësorë.

Ende askush nuk mund të parashikojë se çfarë impakti mund të ketë ky zgjim popullor, por askush nuk mund të përjashtojë largimin e Ramës dhe krijimin e një qeverisje teknike për të nxjerrë vendin nga kriza.

Zani i Malsisë