Kryeministri i Kosovës anulon pjesëmarrjen në takimin e së shtunës në Shtëpinë e Bardhë

Share on

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se nuk do të marrë pjesë në takimin e paralajmëruar për të shtunën në Shtëpinë e Bardhë, pas situatës së krijuar me publikimin e akuzave ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli.

“Për shkak të zhvillimeve të reja në Prishtinë si rezultat i aktakuzës të paraqitur nga Prokuroria e Specializuar, unë duhet të kthehem në vendin tim për t’u marrë me situatën. E njoftova Ambasadorin Grenell se nuk mund të marrë pjesë në takimin e 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë”, shkroi kryeministri Hoti ne rrjetin twitter.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, shkroi ndërkaq të enjten se “në situatën e krijuar, para se të takohemi me Vuçiqin nevojitet të takohemi edhe një herë mes veti, të ulemi të gjithë bashkë të bisedojmë, të gjejmë rrugë dhe zgjidhje të qëndrueshme. Të sigurojmë funksionimin e të gjitha institucioneve shtetërore, sepse pa funksionimin normal te tyre, është iluzore se mund të ecet me marrëveshje”, shkroi ai.

Zyra e Prokurorit të Posaçëm në Hagë, njoftoi të mërkurën se ka ngritur akuza ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte ndër të cilat, vrasje të paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura. Sipas prokurorit akuzat janë ngritur më 24 prill.

Publikimi i njoftimit u bë në prag të një raundi bisedimesh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor me ndërmjetësimin e ambasadorit Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes ndërmjet të dyja palëve.

VOA