Kryeministri i vendit Edi Rama në fjalën e tij para Asamblesë së PS: Në 100 ditët e para, pastrim e ndëshkim në çdo nivel

Share on

Kryeministri i vendit Edi Rama në fjalën e tij para Asamblesë së PS u shpreh se parashtrimi i objektivave të qeverisë për 100 ditët e para është i një rëndësie te veçante, pasi përcaktojnë fizionominë e bashkëqeverisjes me njerëzit. Rama tha se në këtë fazë të parë nevojitet pastrim në të gjitha nivelet, fizik në rrugë, institucione dhe zyrat e shërbimeve, të gjitha nivelet e administratës nga keqbërësit dhe fillimin e një lufte të hapur ndaj korrupsionit.

‘Nuk është e rastit që sot u përqendruam të 100 ditët e para pasi besoj se në këto 100 ne përcaktojmë edhe fizionominë e qeverisjes dhe tonin e bashkëqeverisjes me njerëzit. Në këtë fazë të parë na duhet pastrim në të gjitha nivelet; fizik në rrugë, institucione, zyrat e shërbimeve. Në të gjitha nivelet e administratës nga keqbërësit dhe fillimin e një lufte të hapur ndaj korrupsionit të trashëguar apo kërcënimit në vazhdim dhe përmes rindërtimit të strukturës së ekzekutivit në funksion të Shqipërisë që duam me punë e mirëqenie.

Nuk duhet te neglizhojmë asnjë marrëdhënie të askujt me shtetit, qoftë qytetarët apo sipërmarrje dhe na duhet ndëshkim në të gjitha nivelet lidhur me çdo shfaqje të korrupsionit, abuzim, shfaqje të padenjë qoftë edhe në sjellje ndaj qytetarëve. Në 100 ditë duhet të përcaktojmë si duhet shënjestrën lidhur me çeljen e negociatave për anëtarësim në BE vitin që vjen, ecurinë e mëtejshme të këtyre viteve të marrëdhënieve me Kosovën dhe rajonin, kornizën ku do të ngrihet regjistrimi i shqiptarëve jashtë atdheut për përfshirjen e tyre në zgjedhje, por jo vetëm për këtë. Të çlirojmë qytatarët nga burokracitë dhe ryshfetet. Duhet ta çojmë diplomacinë ekonomike si një qasje të re, në raport me ekonominë tonë. Duhet të përcaktojmë kornizën e Vettingut në policinë e shtetit për të hyrë në qelizë të kancerit në policinë e shtetit. Ta çojmë operacionin kombëtar kundër rrjeteve kombëtare në një fazë të dytë për çrrënjosjen e kanabisit nga toka jonë”, tha Rama.