Marash Rakaj një vlerë e spikatur akademike dhe kontributor i dalluar shkencor

Malsia e Madhe është një trevë, e cila ka nxjerr burra me za; si për patriotizëm dhe dinjitet kombëtar, trimëri dhe besë, ashtu edhe për traditë dhe bujari; si për urtësi dhe dije, ashtu edhe krijimtari dhe vlera përfaqësimi. Natyrshëm pjesë e kësaj kreshte të lartë krenarie është edhe kelmendasi nga Boga, Marash Rakaj, vlera dhe vepra e të cilit i kanë themelet te një vullnet i fuqishëm dhe një shpirt i pasur, te një devocion përkushtimi dhe ndjenjë e lartë përgjegjësie dhe dinjiteti.

Të shkruash për Marash Rakaj, për malësorin e vlerave akademike dhe kontributorin shkencor, është një përgjegjësi dhe obligim, një detyrim që ne kemi për të gjithë ata, ndaj të cilëve ne kemi nderim dhe mirënjohje. Ai, padyshim që bën pjesë në aradhen e atyre personaliteteve, vepra e të cilit është sa e vlertë në aspektin akademik, ashtu edhe e çmuar në rrafshin shkencor.

Marash Rakaj i përket atyre njerëzve modest, të cilët prezantohen përmes punës dhe përkushtimit dhe profili i tyre është skalitur në ndërgjegjen dhe vetëdijen e gjeneratave, ku përkushtimi i tij ka lënë gjurmë drite dhe dijeje.

Për të arritur këtë nuk i ka mjaftuar vetëm ëndrra që ka patur, talenti dhe puna me pasion, por edhe përgjegjësia për të përfaqësuar vendlindjen e tij dhe për ta merituar besimin që i kanë dhënë në rrugën e gjatë si akademik dhe studiues.

Udha e formimit dhe kontributit të Marash Rakaj nis në kulmim me diplomimin në Departamenti i Biologji-Kimisë, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës më 1986. Ai gjatë viteve 1986-1988 jep kontributin si Mësues i Biologjisë dhe kimisë, Shkolla 8-vjeçare, Theth, për të vijuar, më 1988-1989 në Inventarizimin e bimëve mjekësore të Rajonit të Dukagjinit. Ndërmarrja Pyjore Shkodër.

Viti 1989-1990 e gjen Marash Rakaj më detyrën, Drejtor i Shkollës 8-vjeçare Bogë, Malësia e Madhe. Nga viti 1990 dhe në vazhdim, ai është Pedagog me kohë të plotë pranë Departamentit Biologjisë & Kimisë, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Shkodrës, ”Luigj Gurakuqi”. Për veprimtarinë e tij të shquar shkencore dhe akademike, gjatë viteve 1996-2000, Marasha Rakaj është Drejtor i Departamentit Biologjisë & Kimisë, FSHN, Universiteti i Shkodrës, ”Luigj Gurakuqi”. Në vitin 2010 ai është Profesor i Asocijuar, Universiteti i Tiranës, FSHN Tiranë.

Gjatë viteve 2003-2022 ai është Përgjegjës i Qendrës të Studimit të Ujërave të Rajonit të Shkodrës, FSHN, Universiteti i Shkodrës ”Luigj Gurakuqi”.

Kjo është një panoramë telegrafike njohëse për veprimtarinë kryesisht atë akademike të z. Marash Rakaj, portreti i të cilit nuk mund të ishte i plotë pa panoramën e punës dhe kontributit të tij shkencore.                  

Pjesëmarrje në projekte kërkimore dhe mjedisore është një punë e një vlere përfaqësimi të lartë. Lëmi është i larmishëm edhe tematika gjithashtu. Vlen të cilësohet në këtë ngulm veprimtar; “Vlerësim i cilësive fiziko-kimike e biologjike të burimeve të liqenit të Shkodrës, 2005-2006; “Vlerësim i saprobisë dhe bimët endemike të lumit Drin, Financuar nga USH”, 2007-2008. Për të vijuar: “Vlerësimi dhe klasifikimi i statusit të habitateve dhe specieve, në bazë të kushteve më të fundit në liqen dhe përgatitja e një baze të dhënash“,2012-2013; “Ruajtja dhe Përdorimi i Qëndrueshëm i Biodiversitetit në Liqenet e Prespës, Ohrit dhe Shkodrës”, 2012-2014. Dhe vijon kjo përpjekje e gjatë me “Studimin e Zonave të Mbrojtura të Shqipërisë”, 2019; “Vlerësimi i cilësisë ekologjike të ujit të ekosistemit ujor të Liqenit të Shkodrës sipas standardeve të BE dhe të Direktivës Kuadër të Ujërave (WFD). Universiteti i Shkodrës, 2021.

Marash Rakaj është gjithashtu i pranishëm edhe me botime monografike, për të vijuar me referime shkencore të botuara, artikuj shkencor me faktor Impakti, artikuj shkencor me bord editorial, artikuj shkencor botuar brenda vendit, gjithashtu edhe bashkëpunime shkencore, të gjitha këto me një intensitet kohorë dhe impenjativ.
Kjo kolanë e gjatë veprimtarie akademike dhe kërkimore-shkencore, është panorama e vlerave të një burri të urtë, bashkëshorti të përkushtuar, babai model, akademiku të vlerave të larta të përfaqësimit, bashkëpunëtori shkencor të zellshëm dhe të një malësori të dinjitetshëm.

Gazeta “Zani i Malsisë” në praktikën dhe punën e saj të vazhdueshme për të promovuar dhe përfaqësuar vlerat dhe traditën e Malësisë së Madhe, historinë dhe kulturën e saj, vjen në këtë portret për Marash Rakaj, në vijim të prezantimit të të gjithë atyre personaliteteve, emri, vepra dhe vlera e të cilëve është një krenari për Malësinë e Madhe, Shkodrën dhe Shqipërinë.

Në këtë përpjekje njohjeje bëmë të mundur të përcillnim me përgjegjësi profesionale profilizimi i një personaliteti të spikatur akademik dhe shkencor, si një detyrë e lartë qytetare për të vlerësuar punën dhe mundin, angazhimin dhe veprën, atë që sot është prezantim për Marash Rakaj, por që nesër do të jetë një testament për brezat dhe krenari për Malësinë.

“Zani i Malsisë”