Më në fund, Sali Berisha thyen heshtjen: Nuk kam folur sepse kam dhënë dorëheqjen pa rikthim

Share on

Lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka votuar dje në selinë blu për të zgjedhur kryetarin e ri të partisë. Duke folur për mediat pas votimit ai është shprehur se procesi zgjedhor në PD është në përputhje të plotë me statutin e partisë. Sipas tij kërkesat për dorëheqjen e Lulzim Bashës kanë qenë të drejta dhe të pranueshme, por procesi është në përputhje me statutin e PD-së. “Duhet të jetë statuti që do të bëjë të gjitha palët dhe çdo demokrat të nënshtrohet para statutit. Mund t’ja kërkoje Lulzim Bashës dorëheqjen, është normale të kërkosh. Por statuti ska asnjë fjalë që thotë se kryetari duhet të dorëhiqet. S’ka statut që e detyron”,- u shpreh Sali Berisha.

Prononcimi z. Berisha para gazetarëve sot pas votimit në selinë e PD:

Dëshiroj të uroj në paradhënie fitimtarin, cilido që të fitojë. Gjykoj se kjo është një garë e rëndësishme, e cila, në vlerësimin tim qëndron në përputhje me statutin. Pati momentin e saj të fillimit me një gabim, duhet t’i them haptas gjerat, të zotit Paloka dhe zotit Spaho, të cilët shpallen datën, por ky gabim u korrigjua plotësisht nga kryesia e PD. Aq sa vlen precedenti, data e shpallur 4 vite më parë ka qenë pas mbledhjes së kryesisë, por kryesia e PD u mblodh dhe e diskutoi çështjen e datës, votoi dhe me shumicë votash, kryesia e PD vendosi të zhvillohen sot zgjedhjet në PD. Pra, në këtë kontekst konsideroj se procesi, në vlerësimin tim është zhvilluar në përputhje me satutin e PD. Duke thënë këtë, kam patur mirëkuptim të plotë për të gjitha kërkesat, qoftë për dorëheqjen e kryetarit për, qoftë shtyrjen e datës, por përsëri them se ky proces, në vlerësimin tim, është në përputhje me statutin e PD dhe gara, siç e patë, nuk po merrem me vlerësimin e saj por me polemika, me kritika, me diskutime. Dua të them për mediat, për demokratët dhe për qytetarët se pse unë nuk kam folur përveçse në fillim. Nuk kam folur sepse unë kam dhënë një dorëheqje pa rikthim, dhe atë që e kam bërë, e kam bërë me ndërgjegjen më të plotë dhe, përveç atij që ka gjithë fuqitë, fuqi tjetër nuk më rikthen mua nga ky vendim nuk ka dhe nuk mund të ketë. Në këtë drejtim unë kërkoj mirëkuptimin. Janë me mijëra demokratë që më kanë kërkuar të rikthehem, kanë kërkuar që të ndërhyjë por unë  i jam mbajtur atij vendimi që kam shpallur para demokratëve dhe para shqiptarëve. Duke thënë këtë, dua të them sot se, PD pa diskutim që është në vështirësi serioze. Ajo ka pësuar humbjen më të thellë në historinë e saj. Mesazhi im për miqtë e mi, demokratë kudo që janë është ky: Humbje fatale nuk ka. Humbjet janë të hidhura, humbjet janë të thella, por humbjet fatale i bën ti me dorën tënde. Ndaj dhe ftoj çdo njeri që e do këtë parti, çdo anëtar, çdo drejtues të punojë me përkushtim për një strategji të re, e cila e kthen PD në forcë të sigurtë të pushtetit të ardhshëm. Kjo është strategji plotësisht e mundshme, por kjo strategji kalon nëpërmjet bashkimit. Ndaj dhe uroj që në këtë vorbull kundërshtirash që ka, të bëhen të gjitha përpjekjet në radhë të parë nga kryetari i ardhshëm i PD, se atij i takon të bëj përpjekjet më të mëdha, por përpjekje të përbashkëta nga të gjitha anët. Nuk ka humbje fatale nëse nuk e bën ti vetë fatale. Sikundër po kaq fatale është dehja në humbje. Duke u zhveshur nga emocionet, dhe kam besim të madh, do të gjendet mençuria, vullneti e përkushtimi për një strategji të re fitimtare të PD, që PD përsëri të rikthejë besimin tek elektorati i saj dhe tek shqiptarët, sepse në fakt e meritojnë.

Kur flisni për bashkim e keni dhe për ata ish bashkëpunëtorë, ish ministra, ish drejtues që sot janë kundërshtarë të zotit Basha?

Unë mendoj se kur flas, të gjithë ata që kanë investuar në PD në vlerësimin tim e kanë vendin në PD. Dhe PD jo që s’ka për të humbur e për të larguar por PD duhet të bëjë gjithçka për të gjetur kohezionin më të madh me çdo kontribut brenda saj dhe elektoratin që kësaj here qëndroi inert ndaj saj.

Si është e mundur kjo kur ata këtë garë e quajnë farsë?

Unë gjykoj se, jashtë emocioneve, duhet të jetë statuti që do të bëjë të gjitha palët dhe çdo demokrat të nënshtrohet para statutit. Është normale ti kërkosh dorëheqjen Lulzim Bashës por nuk mund t’ja imponoje sepse statuti PD nuk e ka të shkruar që të thotë jep dorëheqjen. Është normale ti kërkosh shtyrjen e afatit, por u mblodh kryesia, e diskutoi, e votoi dhe ky është rregulli i statutit. Është normale të kërkosh dorëheqje të parevokueshme, por s’ka statut që të detyron atë që të japë dorëheqje të parevokueshme. Unë nuk dua të mbaj anën e askujt por e vetmja gjë që kërkoj, dhe e uroj dhe dëshiroj është që këta të gjejnë të gjithë demokratët, të gjejnë gjuhën e përbashkët në mënyrë që të ndërtojnë një strategji të re.  PD ka nevojë për një strategji të re fitoreje. Kjo strategji ndërtohet duke analizuar edhe cilat ishin gabimet por edhe cilat janë kërkesat e kohës. A ka mundësi të bëhet kjo? Ka mundësi absolutisht pa asnjë diskutim.

Cili do të jetë roli juaj në këtë proces?

Unë përpiqem nga mëngjesi deri në darkë të luftoj Edi Ramën, do luftoj edhe pasardhësin e tij por unë kurrë nuk do të ndërhyjë në problemet e brendshme të PD. Po të më pyesin u jap me sinqeritet mendimet e mia siç kam bërë me z. Basha, me z. Selami, me z. Patozi, mendime të cilat nuk i kam shprehur publikisht por sot e ndjeva për detyrë ndaj atyre që kanë kërkuar që unë të ndërhyrë, të lëviz etj.

Thirrjet për bojkot a do ndikojnë në pjesëmarrjen e sotme?

Në radhë të parë unë po flas për një strategji e cila të bashkojë të gjitha kontributet në PD. Një fushatë është një fushatë, dhe një fushatë edhe brenda PD ka larmi deklaratash të cilat janë të pashmangshme por është jetike një strategji që të bëj që kjo humbje të harrohet dhe të ecet drejt fitores që PD meriton.

Me fraksione zoti Berisha?

Unë nuk po jap asnjë mendim sepse thashë se kun ka rikthim. Po të jepja mendim publik unë do i qëndroja, por unë nuk kam ndërmënd as të qëndrojë, as të angazhohem. Unë kam dhënë dorëheqjen dhe kërkoj  mirëkuptimin e çdo demokrati. Kushdo që më pyet, unë atë çka mendoj ja them privatisht.

Zoti Berisha, një nga kandidatët akuzon se gara është e pabarabartë..?

Nuk po merrem me komentet e kanidatit por unë, në raport me statutin e partisë..sepse unë nuk jam këtu sot as për Lulzim Bashën, as për Eduard Selamin por kam ardhur këtu për statutin e PD, kam ardhur këtu si anëtar i saj. Nëse statuti do ishte shkelur dhe në ndërgjegjen time do kisha konstatuar se është dhunuar ligji, atëherë unë do kisha patur qëndrim tjetër.

A mendoni se zoti Basha mund ta kishte shmangur përçarjen brenda PD duke i dhënë garanci kritikëve të tij të bëhen pjesë e garës?

Kërkesat e tyre për dorëheqjen e Bashës kanë qënë absolutisht të drejta. Por statuti nuk e parashikonte. Ka kryetar si puna e atij tjetrit, që mori 2 milionë e 700 mijë shpula kundër i cili jo që s’jep dorëheqjen por ai bën votim në anëtarësi që të mos votohet. Ka kryetar që jep dorëheqjen, ka kryetar që thotë le të votohem. Eshtë në dorën e demokratëve të përcaktojnë cili do jetë qëndrimi i kryetarit në këtë e atë rrethanë. Deri thani unë them se në çdo gjykatë po ta çojnë do ta gjejnë statutore vendimin. Mua këtu më ka sjellë ky fakt. Unë jam sot këtu sepse e konsideroj një proces statutor.

A ka vend për një straregji të re siç thoni ju kur kundërshtarët e zotit Basha thonë se ai e çon PD drejt shkatërrimit dhe jo drejt fitores?

Pa asnjë diskutim përgjegjësi më kryesor i këtij rezultati është Lulzim Basha. Por pa i hequr asnjë nonagram përgjegjësie atij, përgjegjësi kanë me radhë, në shumë aspekte. Po ti marrim kështu, secili duhet të shohë se ku e ka një copëz përgjegjësie. Dhe secili duhet të shohë edhe në bazë, edhe në degë, një strategji krejt tjetër duhet. Cili ishte organizimi PD në këto katër vite? Pra PD i ka të gjitha instrumentet, të gjitha përgjegjësitë që të bëj një analizë të plotë, e cila ti shpërbejë totalisht në funksion të një strategjie të re, e cila do ta çojë atë drejt fitores. Unë e kuptoj që një palë sot nuk voton, ka edhe demokratë të tjerë të zemëruar në bazë që nuk votojnë por këto janë masat, janë hapat. Tani le të zhvishemi gradualisht nga emocioni, nuk e shohim humbjen si fatalitet, nuk dehemi nga humbja se kjo është akoma më fatalitet por ulemi dhe gjejmë rrugët në mënyrë që kjo të mos na përsëritet. A ka PD potencial? Absolutisht të jashtëzakonshëm e ka dhe unë kam besim të madh se do ulen dhe do ta bëjnë këtë.