OPTIKE HISTORIKE/ Kur malësorët ngriheshin kundër komunizmit, armikut shekullor

Share on

Kryengritja e dytë më e rëndësishme në vendin tonë kundër komunizmit ka qenë ajo e Malësisë së Madhe në Janar të vitit 1945. Këto kryengritje nuk ishin të rastësishme, ose thjesht mblidheshin disa burra dhe e vendosin që do të luftonin kundër një sistemi që kishte rrënjë të forta dhe besim në shumicën e popullit, ishte një organizim i menduar dhe i programuar shumë mirë nga nacionalistët dhe antikomunistët e Malësisë së Madhe .

Nevoja e këtij organizimi kishte lindur që kur u themelua Partia Komuniste Shqiptare nga “armiqtë shekullor të malësorëve e shqiptarëve” , siç i quajnë dhe sot  kësaj dite veriorët komunistët.

Kryengritja antikomuniste e janarit 1945 ishte vijim i luftës mbrojtëse të organizuar nga nacionalizmi shqiptarë ndër shekuj. Ky nacionalizëm kishte simbolet e gjalla që njiheshin, nderoheshin e respektoheshin nga Malësia e Madhe e më gjerë.

Kryengritja antikomuniste e janarit 1945 e filloi luftën e saj ndaj planeve antishqiptare me trimat e kësaj krahine që diheshin e njiheshin për trimërinë e pashoq. Si mund ta pranonte nënshtrimin ndaj atyre që nuk ishin intelektual  Preng Cali, mbrojtësi i kufive të Shqipërisë me trimat e maleve Gjekë Selcën e Gjergj Lul Tomën ; luani i kësaj krahine Llesh Marashi; e si mund të ishte i qetë Gjelosh Luli -kushëriri i parë i heroit të popullit e trimit legjendar, Dedë Gjon Lulit; e shqiptari i njohur për atdhetari Pjeter Zekun Camaj; trimi i urtë Smajl Haxhin; nacionalisti Luketë Marash Grishajn; oficeri i karierës e njohësi i disa gjuhëve të huaja -Gjon Martin Lulatin; trimin Mirot Palokë Kokën, trashëgimtari i bajraktarit trim e të urtë të Vuklit e Kelmendit, Kolë Gjon Bajraktari; Lucë Gjon Rapuken, trashigimtarin e Çun Mulës –Mul; Deli Bajraktarin e Hotit, Dodë Nikollën e Grudës, Pretash Zeken e Kojës; Gjokë Dodë Broqin; djalin e bajraktarit famëmadh të Kastratit Dodë Preçit; Pjeter Gjokë, Bajraktarin e Shkrelit; Nikollë Preken; Tom Lekë Daken- nipi i kreshnikut të malesisë Gjeto Daka; Osman Haxhin e Postribës; Kolë Zefin e Grudës e shumë të tjerë që njiheshin si burra trima të trevës së Malesisë së Madhe, të cilët i nuhatën planet antikombëtare të komunistëve shqiptar për të nënshtruar sa shumë malësorët.

Këta trima e lidhën besën me treva të tjera antikomuniste duke filluar që nga Shkodra, Nënshkodra , Dukagjini ,Mirdita , Lezha etj., të cilët të gjithë bashkë do të formonin atë që u quajt edhe Kryengritja e dytë e Malësisë së Madhe.

Data 14 janar 1945 është edhe dita kur Kelmendasit fillojnë rezistencën me pushkë, kundër ekspeditave të brigadave komuniste te Ura e Tamarës ,për ta vijuar më pas në Brojë, Nikçë , Vukel , Selcë e në të gjithë Kelmendin.

Janari i vitit 1945 për malësorët trima shënoi edhe fillimin e luftës civile e cila e njohu dritën e saj në datë 23 janar 1945, ku forcat popullore të kësaj zone u shtrinë deri afër Shkodrës. Lufta e vërtetë nisi mes kryengritësve dhe mbrojtësve të regjimit në  Bajzë e Shkrel dhe më vonë u hap edhe më gjerë. Nga beteja mbeten të vrarë Lulash Cuk Curri i Jeranit dhe Zef Tomë Çekaj nga Bzheta e Shkrelit, të cilët vdesin së bashku me Gjon Martin Lulati e Mirotë Palokë Kokaj dhe mbeti i plagosur Gjon Nikë Preçetaj.

Lufta kishte plasur që prej 14 janarit dhe nuk kishte ndaluar për asnjë ditë të vetme. Qëndresa e antikomunisteve të Kelmendit të udhëhequr nga Prekë Cali, Gjekë Selca , Gjergj Lul Toma , Kolë Gjon Bajraktari, Lucë Gjon Rapuka e të tjerë trima të Kelmendit, zgjati më shumë se një muaj ,deri me datën 17 shkurt 1945 , kur Prekë Cali vendosi që t’i dorëzohet me “besë” të pabesëve në mënyrë që ata të mos vazhdonin ta dëmtonin edhe më shumë atë zonë dhe banorët e saj. Bilanci i luftës  mbrojtëse ishte gati tragjik. U vranë gati 44 kelmendas dhe 52 partizan komunist, por asgjë nuk mbaroi aty, lufta do të vazhdonte akoma deri në rrëzimin e pushtetit komunist, por kësaj radhe të humburit do të ishin vetëm nga njëra anë, nga ana e malësorëve.

Deri atëherë në Malësi të Madhe kishin dhënë jetën kundër komunizmit 182 malësor të cilët ishin vrarë pabesisht nga të urdhëruarit e sistemit, si dhe ishin burgosur, internuar, shpronësuar e persekutuar qindra mijëra të tjerë të cilët përveç se ishin të pafajshëm, po vuanin edhe dënimin që mund t’jua kishte lënë babai ose i pari i fisit të tyre.

Në atë kohë Kelmendi nga një zonë atdhetare kombëtare e pashoqe, u shndërrua në një shesh tragjedie ku derdhej gjak shqiptari të vrarë nga vëllezërit e tyre, bashkëkombasit e tyre.

Anisa Demiraj

konica.al