Palo Traboni solli nga Vjena flamurin që më 1911 valoi aty ku bashkohet Hoti me Grudën

Share on

Më 6 prill 1911 u ngrit flamuri shqiptar në Deçiq. Këtë flamur e solli në Hot, përmes Dalmacisë, Palok Traboini, shkruan Kolec Palok Traboini.

Sipas tij, ky flamur është porositur nga Dedë Gjon Luli, i cili dërgoi në Vjenë të birin Kolën. Pagesën e ka bërë Alardo Kastrioti.

KRYENGRITJA E MALËSISË SË MADHE 107 vjet më parë, 24 mars 1911, nisi Kryengritja e Malësisë së Madhe e udhëhequr nga i pari i Traboinit të Hotit, Dedë Gjo Luli (1840-1915). Në foto krerët e Malësisë, ndër të tjerë: 1 – Dedë Gjon Luli – udhëheqës i kryengritjes, 2 – Deli Meta- bajraktari i Hotit, 3- Palok Traboini – sekretar i Ded Gjo Lulit. Janë edhe Zenel Shabani, Tom Nika, Islam Mustafa, Gjon Ujk Çeku (dëshmor), Gjok Prel Çeku (dëshmor), Martin Ujk Çeku, Preloc Prek Peci korrieri e flamurtari i Dedë Gjon Lulit e tjerë. Gjon Ujk Çeku, Martin Ujk Çeku, Gjok Prela Çeku dhe Palok Luc Çeku -Traboini i përkasin të njëjtës shtëpi, asaj të Çekajve – Gojçaj të Traboinit të Hotit. Por nuk kanë asnjë lidhje me Agim Çekun e Kosovës, megjithë pretendimet e tij. Kolec Palok Traboini

“Por, kur erdh puna për ta marrë atë flamur, lindi një problem se Kol Ded Gjon Luli nuk shkonte dot se ishte komandant ushtarak i trupave të Hotit, që kishte filluar luftën kryengritëse. Atëherë Deda dërgoi për ta marrë atë flamur sekretarin e vet, Palok Traboinin (1889-1951)”, thotë Koleci. “Deda urdhëroi djemtë luftëtarë ta shpalosnin në një pikë të lartë dhe u vendos në një grumbull gurësh në Bratilë të Deçiqit, më saktë aty ku bashkohet Hoti me Grudën. Bashkë me fotografinë e flamurit, Marubi ka ruajtur edhe një foto shumë të rrallë: një grup luftëtaresh që i ka shënuar luftëtarët e Deçiqit”.

Ne atë fotografi janë Palok Traboini, që solli flamurin, Mirash Luca i Kastratit dhe Gjok Prel Çeku (dhe disa që nuk njihen sot).

Sipas një zbulimi të fundit në Arkivin e Shtetit është gjetur viti i saktë lindjes së Palok Traboinit, 29 marsi 1889. Ai ka shërbyer si mësues në Shqipëri, Kosove dhe trojet shqiptare në Mal të Zi. /Telegrafi/