Vigjilencë, shërbim, vullnetariat: këto, tri fjalët, që Papa i nënvizoi në homelinë e Meshës së djeshme, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Ishte homeli e frymëzuar nga Leximet Liturgjike: i pari, shkëputur nga Libri i Makabejve; i dyti, nga Ungjilli, sipas Lukës: që të dy, me temën e përbashkët të pastrimit të Tempullit. Ashtu si Juda Makabe dhe vëllezërit e tij e shugurojnë rishtas Tempullin e dhunuar nga paganët, kështu edhe Jezusi i dëbon tregtarët nga Shtëpia e Zotit, e shndërruar në strofkë hajdutësh.
Por – pyet Françesku – si mund të pastrohet Tempulli i Zotit? Përgjigjja është: “Përmes vigjilencës, shërbimit, vullnetariatit. Falas!”:
“Tempulli më i rëndësishëm i Zotit është zemra jonë – shpjegoi Papa – në shpirtin tonë banon Shpirti Shenjt. Po ç’ndodh në zemrën time? A kam mësuar të vigjiloj brenda vetes, që tempulli i zemrës sime të jetë vetëm për Shpirtin Shenjt? Ta pastroj tempullin, tempullin e shpirtit, e ta ruaj? Vërja mendjen zemrës sate! Vëzhgoje atë, që ndodh brenda saj. Shiko kush hyn e kush del! Ç’ndjenja i zjejnë përbrenda? Ç’ide! Ti, a flet me Shpirtin Shenjt? A e dëgjon? Vigjilo, prandaj! Vërja mirë veshin asaj, që ndodh në tempullin tonë, brenda shpirtit tonë!”.
Jezusi – vijoi Papa – në mënyrë krejt të veçantë, “është i pranishëm në të sëmurët, në njerëzit që vuajnë, në të uriturit, në të burgosurit”. E ka thënë Ai vetë:
“E unë e pyes veten: a di ta ruaj këtë tempull? A kujdesem për të? A i shërbej? A afrohem për t’i ndihmuar, për t’i veshur e për t’i ngushëlluar nevojtarët?” Shën Gjon Gojarti i qortonte ata, që jepnin shumë lëmoshë për ta stolisur, për ta zbukuruar tempullin fizik, por nuk kujdeseshin aspak për nevojtarët. I qortonte! E u thoshte: “Jo, kjo nuk është punë e mirë. Më parë shërbimi, pastaj stolitë”. E kjo do të thotë ta pastrosh tempullin, që janë të tjerët. E – vijoi Papa – “kur ne afrohemi për të bërë ndonjë shërbim, për të lehtësuar vuajtjet, për të ndihmuar, i ngjasim më shumë se kurrë Jezusit, i cili është aty, në shpirtin tonë!”.
Sjellja e tretë, që këshillon Ati i Shenjtë, është vullnetariati, shërbimi pa asnjë shpërblim, falas. Françesku shpjegon:
“Sa herë, me trishtim, hyjmë në një tempull, mendojmë për ndonjë famulli, një ipeshkvi, a nuk di se çka tjetër … e nuk e dimë ku jemi: në shtëpinë e Zotit, apo në ndonjë supemerkat. Gjen aty fjalë që të kujtojnë pazarin, lexon listën e çmimeve për sakramentet… Në vend që të gjindej fjala vullnetariat, fjala falas, gjithçka . Po kjo fjalë shpesh mungon. Nësa duhet të kujtojmë gjithnjë se Zoti na shpëtoi, pa na kërkuar asnjë shpërblim, falas, pa kërkuar shpërblimin tonë – për të Tijin! Shpërblimin e Kryqit!
Françesku nuk harroi të bënte një vërejtje: “E po, o Atë, mund të thotë dikush, edhe paratë duhen, për të çuar përpara strukturat, për të mbajtur meshtarët etj. etj…”, e edhe të përgjigjej: “Ti jep falas, e Zoti do të bëjë çka mbetet. Zoti do ta bëjë, pa, dyshim, atë që mungon. Kishat tona, duhet të jenë kisha shërbimi, kisha falas”.
Radio Vatikani