R.SH. – Vatikan
Jezusi është shok besnik “që e mbush jetën tonë me lumturi, madje edhe në periudha të vështira”. Ai “na shoqëron dhe nuk zhgënjen kurrë”. Tek ai dhe me të ne nuk jemi vetëm. Në Kryqin e tij, zemrat tona gjejnë “mbështetje dhe ngushëllim, edhe në mesin e mundimeve të jetës”. Papa Françesku i përshëndeti kështu besimtarët në gjuhë të ndryshme, të lidhur përmes mediave me Bibliotekën e Pallatit Apostolik, në përfundim të katekizmit të audiencës së përgjithshme.
Njeriu, kur ka frikë, t’ia besojë veten Mëshirës Hyjnore
Polakëve, Papa u kujtoi se njeriu i sotëm i sheh “shenjat e vdekjes” më të pranishme në qytetërimin bashkëkohor, prandaj, “jeton gjithnjë e më shumë me frikë, i kërcënuar në thelbin e ekzistencës së tij”. Në këto ditë të vështira, ftoi Ati i Shenjtë, “mendimi juaj të shkojë tek Krishti: ta dini se nuk jeni vetëm. Ai ju shoqëron dhe nuk zhgënjen kurrë”. Besojani veten “Mëshirës Hyjnore dhe ndërhyrjes së Shën Gjon Palit II, në prag të 15-vjetorit të vdekjes së tij”, që bie nesër, 2 prill.
Portugezëve: nguljani sytë Kryqit. Aty, Jezusi fitoi mbi të keqen
Duke pasur parasysh Javën e Madhe të Pashkëve, që po afrohet, Françesku i ftoi besimtarët portugezë të shikojnë “Kryqin ku Jezusi mori mbi vete dhe duroi çdo tragjedi të njerëzimit”. Për Atin e Shenjtë, “nuk mund të harrojmë tragjeditë e ditëve tona, sepse Mundimet e Zotit vazhdojnë në vuajtjet e njerëzve”. Papa uroi që zemrat e besimtarëve “të gjejnë, në Kryqin e Krishtit, mbështetje dhe ngushëllim në mes të mundimeve të jetës; duke e përqafuar Kryqin si Jezu Krishti”, pasi vetëm kështu do të kenë pjesë në lavdinë e Ringjalljes.
Në ngjarjet e jetës, zbuloni Provaninë Hyjnore
Në fjalët drejtuar gjermanëve, Papa Françesku theksoi se duke soditur “fytyrën e Zotit të kryqëzuar dhe të vdekur për ne”, në këtë periudhë sprove, mund të shohim “në Kryqin e tij, burimin e shpresës dhe të gëzimit të vërtetë, përmes të cilit Ai i Lumi fitoi mbi çdo të keqe”. Për spanjollët, në gjuhën e tij amtare, Papa kërkoi të zbulojnë Provaninë e Zotit “në ngjarjet e jetës së përditshme”. Dhe i ftoi të gjithë të kujtojnë, në këto çaste sprove dhe errësire, “vëllezërit dhe motrat që vuajnë, si edhe ata, që i ndihmojnë dhe i shoqërojnë me dashuri dhe zemërgjerësi”.
Faleminderit të rinj milanezë, mos e humbi shpresën në Jezusin
Më në fund, ndër besimtarët italianë, Françesku përshëndeti në mënyrë të veçantë “grupet që prej kohësh kishin prenotuar për të qenë sot të pranishëm” në audiencën e përgjithshme, ndër të cilët të rinjtë e dioqezës së Milanos. “Megjithëse shtegtimi juaj në Romë është vetëm virtual, – u tha Papa – më duket sikur e perceptoj praninë tuaj të gëzueshme dhe të zhurmshme, konkretizuar nga shumë mesazhe që më keni shkruar”. Papa i falënderoi dhe i inkurajoi “ta jetojnë fenë me entuziazëm dhe të mos humbasin shpresën tek Jezusi, miku besnik që e mbush jetën me lumturi, edhe në periudha të vështira”. Këto ditët e fundit të Kreshmëve, ishte urimi i fundit i Papës, të favorizojnë “përgatitjen e përshtatshme për kremtimin e Pashkëve, duke e bërë secilin ta ndiejë edhe më shumë afërsinë me Krishtin”.