Përshpirtje Ibrahim Madhit, njeriut të përkorë, “Paganinit” të violinës shqiptare

Share on

Sot pesë vite më parë, më 4 shkurt të vitit 2014, është ndarë nga jeta në moshën 69-vjeçare, violinisti, Ibrahim Madhi. Vitet ikin kaq shpejt kur mungesa i thërret jehonave me zë përjetësie. Ata rendin në zbraztësi duke lënë pas kujtesën që rivjen për ndërmendje. Dhe sot, ne që njohëm, ata që vlerësuan dhe duartrokitën, vijmë kokëulur dhe përjetues ndër çaste dhe grishje kujtimesh që na sjellin atë, duke mos lejuar që harresa të mbush vendin që la ikja e tij.
Prej pesë vitesh, Ibrahim Madhi, nuk është më. Ai mungon mes artistëve, mes violinistëve, studentëve, mes miqve. Ai do të mungojë më së shumti familjes, të afërmve. Ai iku për të lënë nga pas një boshllëk, që mundet me e mbush vetëm kujtimet për të. Ata kujtime që reken me e rikthy hera-herësh tansinë e tij shembullmirë.
Ibrahim Madhi, gjatë rrugëtimit të tij artistik u bë pjesë e institucioneve më të rëndësishme të vendit, si Orkestra e Radio Televizionit Shqiptar, Teatrit të Operës dhe Baletit, Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve, si dhe të Institutit të Lartë të Arteve duke qenë mbamëndje e pashlyeshme e memories së tyne, si një virtuoz që ka rrëmbyer ovacionet dhe afrinë e publikut, shqiptar dhe atij të huaj, duke qenë njëheras dhe ambasadori i vlerave shpirtërore shqiptare në skenat konceptore n vende të ndryshme të votës.
Violinisti i tingullit të bukur, elegant dhe shprehës, ka treguar individualitetin e tij të spikatur artistik në skenat e Shqipërise, Kosovës, Turqisë, Rumanisë, Kinës, Greqisë, Italisë, Austisë, Francës, Gjermanisë, Zvicrës etj. duke marrë vlerësime dhe duartokitje frenetike. Me përgjegjësi dhe kualitet të lartë artistik ka interpretuar pothuajse të gjithë repertorin violinistik shqiptar, duke i bërë premierën shumicës së tyre. Ai ka shumë or inçizime e regjistrime në studio apo direkt nga sallat e koncerteve me Radio Tiranën, Televizionin Shqiptar, Radio Prishtinën, Radion e Pekinit (Kinë), Radion e Gracit (Austri) etj., të cilat vazhdojnë të jenë në transmetim.a
Ibrahim Madhi është nderuar në vite me çmime dhe Mirënjohje të veçanta, si dhe i janë akorduar çmimet: Artist i Merituar në vitin 1976 dhe Artist i Popullit në vitin 1990.
Mungesa e tij ka pesë vite në mes. Por kurrsesi nuk ka të fundit kurrçka tjetër që e lidh me atë; violinist virtuoz, njeri të mirë, bashkëshort të dashur, prind të përkushtuar, profesor korrekt dhe mik të pashoq.
E gjatë kjoftë rruga jote e amshimit, miku im i vjetër.