PORTRETI I NJE FENOMENI- Dua Lipa, vezullimi i shpërthimtë i një ylli muzike

Share on

Nga Albert Vataj

Ajo është e bukur, e talentuar, e zgjuar por mbi të gjitha është një vajzë rrezëllitëse. Ka një buzëqeshje mes një fëmije të lumtur dhe një vajze të pafajshme. Rreflekton një hir të kulluar që arrin përsosmërinë ndërsa e gjithë ajo qënie prej drite magjeps në skenë dhe dalldis në vokal. Në këtë krijesë sa të dlirë dhe të kthjellët seç vërshon një limfë, një lëndë e kulluar e përkujdesit të krijimit.
Nuk është vetëm skena, zëri, projektorët që e ndjekin ngado ajo performon, që e bëjnë atë kaq të admirueshme dhe kaq të famshme. Ajo domosdo që duhet të jetë një e përzgjedhur, një vullnet i lartë që bashkëvepron në harmoni me ligjësitë e universit.
Cila është Dua Lipa, kjo vajzë që arriti në një shpejtësi shokuese shkallët e suksesit, një sukses i cili siç është befasues është dhe krenues. Dua Lipa u lind në Londër më 22 gusht 1995 dhe shkollua në “Sylvia Young Theatre School” para se të zhvendosej në Kosovë me familjen në vitin 2008, për t’u rikthyer sërish atje ku ylli i saj i fatit dhe famës do të shkëlqente me një vezullim të fuqishë. Ndoshta ajo është vajza shqiptare për të cilën është folur, vajza shqiptare që rrok një njohje dhe adhurim më shumë ngase kanë mundur të rrëmbëjnë në këtë botë të ashpër të konkurencës, shumë fatëlume të tjera.
Pa frikë mund të themi se ajo është në kulmin e suksesit. Viti 2019 ka filluar i mbarë për këngëtaren Dua Lipa. Ajo gjatë këtij muaji fitoi disa çmime dhe ka hyrë në histori duke u bërë shqiptarja e parë që fiton çmim “Grammy”.
Lipa e cila ishte e nominuar katër herë në “Brit Awards 2019” , duke rrëmber çmimin “Brish Single” me këngën “One Kiss” të realizuar së bashku me Calvin Harris.
Dua Lipa ka bërë një vend dominues në industrinë e muzikës, ndërsa kulmin e ka arritur duke fituar disa çmime në Brits 2018.
Si e bë pjesë e industrisë, sa shpejt arriti suksesin e saj dhe kush qëndron pas karrierës muzikore të shqiptares? Më poshtë mund t’i gjeni disa gjëra rreth 22-vjeçares.
Kush është Dua Lipa? Cila është jeta e saj e hershme?
Ajo vjen nga familje muzikantësh, pasi i ati i saj, Dukagjin Lipa është një ndër këngëtarët më të suksesshëm të rokut shqiptar. Duke u kthyer në Britani të Madhe në moshën 16-vjeçare, ajo filloi të punonte si modele dhe u përpoq të fillonte karrierën si këngëtare.
Duke shfrytëzuar “YouTube” si një platformë muzikore që nga mosha 14-vjeçare, ajo u bë e njohur për “coverat” që publikonte para se të arrinte një marrëveshje me një kompani muzikore.
Në vitin 2015 arriti marrëveshje me “Warner Bros. Records”, ku debutoi me këngën “New Love” ndërsa filloi të punojë në albumin debutues. Kënga e saj e dytë i solli suksesin e vërtetë anembanë Europës, duke e renditur në top listave botërore.
Megjithatë, shpërthimi i saj i madh ishte me këngën “Hotter Than Hell”, i cili u bë një hit i vërtetë në Mbretërinë e Bashkuar dhe në SHBA. Më 21 prill të vitit 2017, Dua publikoi këngën “Lost in Your Light”, ku bashkëpunoi me Miguel.
Ajo më në fund publikoi albumin e parë në karrierë, i cili u titullua sipas emrit të saj, në qershor të vitit 2017 – pasi data e nxjerrjes në shitje u shty disa herë.
Përpara nxjerrjes në shitje, Dua zbuloi temat e albumit që bazohen në pikëpamjet e saja personale për dashurinë, seksin dhe vetë-fuqizimin e femrës. Lipa ka dorë në shkrimin e teksteve të çdo kënge, përveç të parit, kështu që ajo ka dhënë zemrën dhe shpirtin për këtë album. Frontmeni i Coldplay, Chris Martin dhe Dua Lipa shkruan së bashku këngën finale të albumit, Homesick. Në fillim të dhjetorit, u zbulua se Dua Lipa ishte femra më e transmetuar në Spotify në Britani të Madhe, ku ka lënë pas yjet e tilla, si Beyonce dhe Taylor Swift. Ajo mori dy çmime në “Brit Awards 2018” dhe ishte pjesë e grupit të shfaqjeve në këtë ngjarje magjepsëse.
Kjo është vajza nga Kosova, shqiptarja botërisht e adhuruar dhe ai fenomen i pashpjegueshëm që ka sunduar me një hir prej engjëlli dhe zë brilant, një qeshje ngasëse dhe një sensualitet që sfidon. Fati ndoshta është shpesh aq dashamirës sa dhe vetë talenti, por te Dua Lipa ka ushtruar një forcë e epërme, një vullnet i devotshëm la lejuar që drita e këtij ylli t’i përkasë kohës sonë, të shndrij si dëshmi e ëndrrës në dëshirim për të ngjitur qiellin. Ajo është një fenomen, është vezullimi i shpërthimtë i një ylli muzike që na ndrin e na ngroh… dhe na bën të ndihemi krenar.