Presidenti Trump dhe Zonja e Parë fillojnë një vizitë në Britaninë e Madhe

Share on

Presidenti Donald Trump ndodhet në Britani për një vizitë që përfshin takim me familjen mbretërore, një darkë shtetërore dhe bisedime me kryeministren në largim Theresa May.

Mbretëresha Elizabeth e Britanisë përshëndeti presidentin Trump dhe gruan e tij Melania pasi mbërritën në Pallatin e Buckinghamit me helikopter të hënën. Pas një ceremonie mikpritëse që përfshinte 41 të shtëna topash, dhe inspektimin e Gardës Mbretërore të Nderit, presidenti Trump pati një drekë private me mbretëreshën.

Mbretëresha Elizabeth i shoqëroi presidentin dhe Zonjën e Parë në një vizitë në galerinë e fotografive të Pallatit Buckingham. Artifaktet në galeri përfshijnë një hartë të Nju Jorkut të shekullit të 18-të dhe statujën e një kali, që presidenti i dha Mbretëreshës Elizabet gjatë vizitës së tij vitin e kaluar.

Para largimit nga Uashingtoni, presidenti Trump tha se udhëtimi i tij do të ishte “shumë interesant” dhe se mendon se Shtetet e Bashkuara dhe Britania kanë mundësi të hartojnë një “marrëveshje shumë të madhe tregtare” në një të ardhme të afërt.

Vizita e tij vjen ndërsa Britania ndodhet në mes të trazirave politike. Kryeministrja May njoftoi muajin e kaluar se do të japë dorëheqjen më 7 qershor, dy ditë pas largimit të presidentit Trump, pasi nuk arriti të përfundonte daljen e Britanisë nga Bashkimi Europian.

Ky proces do të trashëgohet nga pasardhësi i saj, pa ndonjë rrugë të qartë për një zgjidhje ngas partitë thellësisht të ndara.

Trump ka mbështetur publikisht ish-Ministrin e Jashtëm Boris Johnson si udhëheqës të Partisë Konservatore për të pasuar zonjën May. Ai u tha gazetarëve para se të niset nga Shtëpia e Bardhë të dielën vonë se mund të takohet me zotin Johnson dhe politikanin e partisë Brexit Nigel Farage, në Londër, duke krijuar potencialisht telashe për kryeministren që po largohet.

Ajo që sigurisht nuk është në axhendën e tij është një takim me kryebashkiakun e Londrës, Sadiq Khan, i cili shkroi në gazetën The Observer se mikpritja e Trump-it për një vizitë shtetërore është “kundër vlerave britanike”. Ai përmendi ripublikimin në Twitter nga presidenti Trump të një videoje nga një “grup racist britanik i ekstremit të djathtë”, refuzimin e presidentit për provat shkencore të ndryshimeve klimatike dhe “përpjekjen për të ndërhyrë pa turp” në garën për të zëvendësuar kryeministren May.

Kur u pyetën nëse ai do të ishte i hapur për t’u takuar me kryebashkiakun Khan, Trump tha të djelën, “Jo, unë nuk mendoj shumë mirë për të” dhe e krahasoi atë me Kryetarin e Bashkisë së Nju Jorkut, Bill de Blasio, një kundërshtar politik, “vetëm se është më i shkurtër”, tha ai.

Pas mbërritjes në Londër, Trump vazhdoi sulmin ndaj Khanit përmes Twitterit, duke e quajtur atë një “humbës të ftohtë”, i cili “ka qenë i keq deri në budallallëk” ndaj vizitës së Presidentit të Shteteve të Bashkuara, aleati më i rëndësishëm i Mbretërisë së Bashkuar”.

Vizita e presidentit Trump do të përfshijë gjithashtu ceremonitë përkujtimore të Ditës së Fitores D-Day, në Britani dhe Francë dhe një ndalesë në Irlandë.

VOA