Të hënën të tjera shtete amerikane iu bashkuan vendimit për të hapur ekonomitë e tyre duke hequr disa nga kufizimet që synojnë të parandalojnë përhapjen e koronavirusit. Vendimet vijnë ndërsa zyrtarët federalë të shëndetësisë kanë zgjeruar listën e simptomave të mundshme që shoqërojnë sëmundjen. Sipas tyre ethet, dhimbja e muskujve, ajo e kokës, e fytit dhe humbja e ndjesisë së nuhatjes apo shijes mund të jenë shenja të një infeksioni me koronavirus. Fillimisht Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve kishin përmendur vetëm temperaturën, gulçimin dhe kollën si simptoma të mundshme të COVID-19.
Kolorado, Misisipi, Montana dhe Tenesi lejuan të hënën disa biznese të rifillojnë veprimtarinë e tyre. Ata i bashkohen shteteve si Xhorxhia, Oklahoma, Alaska dhe Karolina e Jugut në përpjekjen për t’i rikthyer njerëzit në punë dhe për një rikthim tek jeta normale.