Shqipëri, nis punën parlamenti i ri i dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit

Share on

Në Shqipëri Parlamenti i ri i dalë nga zgjedhjet e 25 Qershorit zhvilloi sot paradite mbledhjen e tij të parë. Një seancë formale, në të cilën, siç e parashikon rregullorja, u ngrit komisioni për verifikimn e mandateve. Pasdite parlamenti pritet të mblidhet sërish për të vijuar me betimin e 140 deputetëve të tij dhe zgjedhjen e Kryetarit të ri.

Socialistët të cilët këtë herë e kontrollojnë të vetëm shumicën parlamentare, me 74 deputetë, kanë vendosur që drejtimin e këtij institucioni t’ja besojnë zotit Gramoz Ruçi, një nga eksponentët më në zë të kësaj force politike, dhe që prej vitit 1997 i zgjedhur në të gjitha legjislaturat. Por emri i tij ka hasur në qëndresën e ish të përndjekurve politik, për shkak të kaluarës në radhët e ish partisë komuniste para viteve ’90 dhe ish ministër i Brendshëm për disa muaj kur në Shqipëri sapo ishte vendosur pluralizmi. Partia Demokratike, forca kryesore e së djathtës në opozitë, e ka kundërshtuar gjithashtu me forcë kandidaturën e zotit Ruçi dhe pritet që deputetët e saj të braktisin sallën e t’i bashkohen një proteste të paralajmëruar të ish të përndjekurve politik në momentin e votimit për zgjedhjen e tij.

Në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, kryetari Edi Rama i bëri dje thirrje “konkurrentëve tanë demokratë se, nëse nuk e votojnë Gramozin gabojnë një herë, sepse refuzojnë deputetin me eksperiencën më të gjatë parlamentare, por duke e shënjestruar me topat e politikës së baltës gabojnë 100 herë, sepse refuzojnë të kuptojnë që Shqipërisë as nuk i duhet dhe shqiptarët e shpërfillin lojën me topa balte mes politikanëve, sepse duan shtetin, punën dhe mirëqenien e tyre, që natyrisht nuk vijnë si rezultat i kësaj loje”.

Edhe forca e dytë opozitare në parlament Lëvizja socialiste për integrim, ka paralajmëruar se nuk do të votojë në favor të zotit Ruçi, pavarësisht faktit së në 4 vitet e fundit bashkëqeverisën me socialistët. Kjo parti ka rritur ndjeshëm përfaqësimin e saj në parlament me 19 deputetë. Drejtuesit e LSI-së janë deklaruar haptazi se do të jenë një opozitë e fortë ndaj qeverisë së re të kryemnistrit Edi Rama, por duke shtuar se do të jenë në favor të çdo nisme që lidhet me integrimin europian të vendit apo që ka të bëjë me zhvillimin ekonomik, social dhe kulturor që ka lidhje të drejtpërdrejtë me qytetarët. “Do të jemi në opozitë me keqqeverisjen, nuk do të jemi në opozitë me partitë politike, por do të jemi në opozitë me keqqeverisjen, e cila po i ofrohet çdo ditë e më shumë qytetarëve”, deklaroi pak ditë më parë Monika Kryemadhi, kryetarja e re e LSI-së.

Opozitë të fortë ka premtuar dhe Partia Demokratike e reduktuar ndjeshëm në numër krahasuar me parlamentin e kalur, duke patur tanimë 43 deputetë, . “Një opozitë e fortë është më shumë se kurrë sot një domosdoshmëri e madhe për Shqipërinë. Kjo është një kohë kritike ku do të përcaktohet nëse Shqipëria do t’i rikthehet integrimit europian, demokracisë dhe shtetit ligjor apo do të zhytet plotësisht në sundimin e kri​mit të organizuar në bashkëpunim me elitën e korruptuar politike të vendit”, u shpreh mbrëmë në hyrje të mbledhjes së grupit parlamentar demokrat zoti Basha, i cili rikthehet në sallën e parlamentit pas 6 vitesh.

Pas seancës së pasdites, pritet që kryetari i grupit parlamentar socialist t’i paraqesë presidentit Ilir Meta kandidaturën e zotit Rama për kryeministër. Menjehërë pas dekretimit të tij, zoti Rama do të duhet të çojë për dekretim në presidencë emrat e kabinetit qeveritar. Me shumë gjasa dhe ky proces do të mbyllet me shpejtësi, duke i hapur rrugë parlamentit që sikundër është paralajmëruar, të vazhdojë të hënën me prezantimin e programit qeverisës për katër vitet e ardhshme nga kryeministri dhe votimin më pas të ekzekutivit të ri.