Takimi Shqipëri-BE, Macovei: Koha që qeveria dhe opozita të bashkohen për integrimin

Share on

Në Tiranë mbahet sesioni i parë i takimit të 12-të i KPSA BE-Shqipëri nën drejtimin e Monica Macovei, kryetare e delegacionit të PE dhe Taulant Ballës, kryetari i delegacionit shqiptar. “Partitë politike duhet të jenë bashkë në përpjekjet për integrim”, theksoi Monica Macovei gjatë takimit të Komisionit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit.

“Kemi dëgjuar nga Komisionin Europian për ecurinë e Shqipërisë me reformat. Duam pozitivitet. Partitë politike duhet të jenë bashkë në këto përpjekje. Të kemi një dialog konstruktiv me rekomandime”, u shpreh ndër të tjera Macovei.

Ndërkohë që bashkëkryetari i komisionit Taulant Balla i bëri thirrje opozitës që të përfshihet në këtë çështje. “Opozita të përfshihet plotësisht në procesin e mbështetjes për çeljen e negociatave. Me një frymë dialogu konstruktiv të miratojmë rekomandimet e përbashkëta”, tha ai.

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati vuri në dukje se Reforma në Drejtësi ilustron impaktin në integrimin europian. Gjatë fjalës së tij Bushati vuri në dukje edhe faktin se qeveria shqiptare është përfshirë në një proces intensiv dialogu me Greqinë.

Ashtu si edhe Macovei, ambasadorja e BE, Romana Vlahutin, vuri theksin tek uniteti për të ecur përpara drejt integrimit të vendit. “Qytetarët mbështesin reformat e thella në vend. Shqiptarët nuk kanë pikë dyshimi për integrimin e vendit. Sot Shqipëria ka një mundësi reale sa i përket hapjes së negociatave. Integrimi në BE kërkon unitet.”, tha ambasadorja e BE, Romana Vlahutin.

Në fjalën e saj, deputetja e PD, Jorida Tabaku, kërkoi edhe njëherë shpjegim se përse opozita nuk është përfshirë në takimin e fundit të Këshillit të Stabilizim Associimit. Por shqetësimi i saj dhe i deputetes tjetër të PD, Albana Vokshi ka qenë edhe emri i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili ka qenë pjesë e delegacionit që duhet të merrte pjesë në këtë takim.

“Si është e mundur që opozita është përjashtuar nga Këshilli i fundi të Stabilizim-Asociimit. Tashmë kjo nuk i lejohet opozitës. PD ngriti një shqetësim për anëtarësim të deputetëve në Komision të Stabilizim-Asoccimit, ku pjesë e së cilës është edhe deputeti Saimir Tahiri”. tha Jorida Tabaku.

Bashkëdrejtuesi i këtij Komisioni, Taulant Balla i ka kthyer përgjigje Jorida Tabakut se në seancën e fundit është miratuar lista e re e përfaqësuesve të Partisë Socialiste në këtë takim, ku emri i Tahirit nuk është në të. “Njoftimet bëhen në fund të seancës plenare dhe kërkesa ime është dërguar javë më parë dhe është miratuar në seancën e fundit plenare. Përbërja e këtij këshilli janë ata që shihni në këtë takim”, u përgjigj Balla.

Por për Albana Vokshin deri në këtë moment nuk është paraqitur asnjë dokument për zëvendësimin e Tahirit.

Kërkesat e larta për azil dhe trafiku i drogës ka qenë shqetësimi që ka ngritur Aldo Bumçi për përfaqësuesit e PE: “A ju ngacmojnë të dhënat e shqiptarëve që largohen për azil në shtet e BE. Cila është e vërteta, në Shqipëri thuhet se po luftohet trafiku i drogës ndërsa të dhënat nga jashtë tregojnë se ka një shtim të saj”.

12 shkurt 2018 (gazeta-Shqip.com)