Deniz Yücel, një gazetar gjerman që ka qenë në burg për një vit në Turqi u lirua nga burgu. Avokati i tij transmetoi me twitter një fotografi të Yücelit me të shoqen, Dilek Mayatürk jashtë burgut të Stambollit.
Deniz Yücel qëndroi në burg për një vit, pa iu paraqitur ndonjë aktakuzë. Një zëdhënës i qeverisë gjermane tha se ai ndihet “i çliruar dhe i kënaqur” dhe falenderoi organet turke të drejtësisë. Ai tërhoqi vëmendjen që ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Sigmar Gabriel kishte “punuar intensivisht për të gjetur një zgjidhje”. Ai shtoi edhe se nuk ka pasur “marrëveshje të pista”.
Merkeli përshëndet lirimin e Yücelit
Kancelarja Merkel reagoi për lajmin nga Turqia për lirimin e Yücelit me këto fjalë:
“Gëzohem për të dhe për të shoqen dhe për familjen e tij, të cilëve iu desh të durojnë një vit shumë, shumë të vështirë të ndarjes”. Merkeli i falenderoi të gjithë që u angazhuan për lirimin e Yücelit.
Agjencia shtetërore e lajmeve Anadollu raporton se një një gjykatë e Stambollit i kishte pranuar akuzat e paraqitura nga prokurorët, të cilët me sa duket përpiqeshin ta dënonin Yücelin me 18 vjet burg.
Yüceli ka si nënshtetësinë gjermane, ashtu edhe atë turke dhe është korrespodent i së përditshmes gjermane Welt. Atë e patën akuzuar se punon për organizata terroriste.
Në një takim me Kancelaren Angela Merkel të enjten, kryeministr turk Binali Yildirim la të kuptohet se ka “lëvizje”në rastin e Yücelit, duke ngjallur shpresa për lirimin e tij.
Shkurtin e vitit të kaluar, Yücelin e thirrën në një stacion policie për ta marrë në pyetje për një artikull që kishte shkruar për ministrin turk të Energjisë. Atë e arrestuan atje dhe më vonë e akuzuan për nxitje të popullit dhe se përdor “propagandë terroriste për të nxitur popullin.”
Aktualisht në burgjet e Turqisë ndodhen më shumë se 100 gazetarë turq dhe gjashtë gjermanë. DW