Presidenti serb, Alleksandar Vuçiq, ka thënë se shpreson që Kosova nuk do të ndjekë shembullin e Malit të Zi në lidhje me Ligjin për lirinë fetare, kur është pyetur nëse mund të pritet skenar i njëjtë edhe në Kosovë.
Vuçiqi tha më tej se ata (shqiptarët, shën. red.) do të tentojnë të thonë se ato i përkasin trashëgimisë kulturore shqiptare, për çka, siç tha ai, “kanë fituar edhe mbështetjen e një pjese të bashkësisë ndërkombëtare”, transmeton Koha.net.
“Por, të gjithë këto truqe… besoj se do të kemi forcën që në mënyrë racionale e të zgjuar dhe me mjete paqësore, në rrugë diplomatike, të luftojmë e të mbrojmë shenjtoret tona”, tha Vuçiqi.
Ligji për lirinë e besimit ose të bindjeve fetare dhe statusin juridik të bashkësive fetare në Mal të Zi parashikon shtetëzimin e pronave për të cilat Kisha nuk mund të dëshmojë se i përkisnin asaj para vitit 1918.
Deri në atë datë, Mali i Zi nuk ishte i pavarur dhe bënte pjesë në mbretërinë e serbëve, kroatëve dhe sllovenëve.
Miratimi i ligjit për komunitetet fetare është shoqëruar me protesta, dhunë dhe arrestime në Parlamentin e Malit të Zi.
Pas mesnatës së të enjtes seanca u ndërpre, pasi, siç raportoi Al Jazeera, u hodh një lëndë e ngjashme me gazin lotsjellës. Ligji u miratua vetëm me votat e koalicionit qeverisës, ndërsa brenda dhe jashtë parlamentit pati protesta të dhunshme.
Pas incidentit të së enjtes, 22 persona u arrestuan – 18 deputetë të partisë Fronti Demokratik dhe katër të tjerë. Kjo forcë politike e Malit të Zi paraqiti më shumë se 100 ndryshime në projektligj, por ato u kundërshtuan nga koalicioni qeverisës.
Qindra përkrahës të opozitës pro-serbe dolën në rrugët e Podgoricës për të protestuar kundër projektligjit.
Policia vendosi barriera metalike përgjatë rrugëve për të parandaluar protestuesit, përfshirë disa priftërinj, të cilët ishin përpara parlamentit, ku ligjvënësit po debatonin për projektligjin.
Kisha Ortodokse Serbe pretendon se ligji do t’i heqë pronën, duke përfshirë dhjetëra manastire mesjetare dhe kisha.
Dje, siç raportoi portali i televizionit publik malazeze, Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, nënshkroi Ligjin në fjalë.
© KOHA