Zoti e Bekoftë Amerikën, një uratë shpirtrash sakrifikues të fatit, ëndrrës dhe lirisë

Share on

Kjo thënie kaq e goditur për tokën që zbuloi Kolombi është shkruar kudo, nëpër vitrina dyqanesh, rrugë e sheshe të Amerikës, mandej edhe përbrenda shpirtit të banorëve të saj e të kujtdo që e viziton atë, qoftë edhe për një kohë të shkurtër. Amerika është e mbetet si një veprim i ndritshëm, arritje e qytetërimit të lashtë e të ri, kurorë e demokracisë e të mirëqenies, piktura natyrore më e rafinuar që ka dalë nga dora e njeriut dhe e Zotit vetë…

Një ëndërr e vjetër

Gjithçka ndodh si një ëndërr që fillon e mbaron shpejt. Dy javët e mia në Amerikë, ishin si dy sekonda në fleshin elektronik të kohës. Po gjurmët që lënë janë si rrënjët shekullore të rrapeve të moçme. Si të gjitha ëndrrat tona për të parë botën edhe Amerika ka qenë gjithmonë diçka e ndaluar, e rrezikshme dhe përjetësisht një ëndërr e parealizueshme.

Të lindur në bregdetin përrallor të Jugut dhe të rritur në fukarallëkun e kohës së luftës e përmes urisë së pasluftës, i mbanim sytë ca nga qielli e ca nga deti. Nga deti trembeshim se hidheshin bomba pareshtur, ndërsa nga qielli çoku hidheshin edhe biskota apo këpucë, pale të ishin në këmbë të ndryshme, si ato që rrëmben im atë. Fshati im, Pigerasi, ngjan gjithmonë si një vepër mbi det, gati për të nisur lundrimin, po për çudinë tonë të viteve të fëmijërisë, mbeste gjithmonë në vendin e vet, i “ankornur” përjetësisht. Dikur, gjyshërit e baballarët tanë, venin e vinin nga Korfuzi (që e kishin përkarshi), po ne të vegjlit që erdhëm në këtë botë në kohë trazirash, e shihnim atë me dylbi. Më pas, ata që na i mallkonin këto vende me anateme të çuditshme, pushtetarët e partiakët komunistë, ata edhe venin për t’i parë, për të na rrëfyer mandej histori mbi “ferrin perëndimor”. Dhe “fati”, asnjëherë nuk qe me ne, po me ata.

Kur u duk se më “buzëqeshi fati”, gjatë kohës së mësimdhënies në Akademinë e Arteve, në vitet shtatëdhjetë, për të përfituar një bursë nga UNESKO në Paris, dikush “atje lart” tha se ishte paradoksale të “mësonim” estetikë arti nga Perëndimi! Po “nga lart” mu anulua një vajte për në Prishtinë, për të shoqëruar si kritik teatri një shfaqje të Teatrit Popullor, ngaqë u gjet një kleçkë biografike”. Edhe entuziazmi i shprehur për zbritjen e aktorit nga Kosova, Bekim Fehmiut në Amerikë, që kishte rrasur në kokë qeleshen shqiptare, (pas arrestimit tim) mu lexua në hetuesi në një orë të pasnatës si njëherazi dëshmi për “agjitacion e propagandë kundër shtetit. Nuk qe aspak e lehtë edhe ta përmendje Amerikën!

Dalja ime e parë në botë”, ishte një dalje me këmbë nga Kakavija për në Greqi, kur në vendin tim, për fat të keq, mu prenë të gjitha rrugët për të pasur një strehë a një punë sipas mundësive e aftësive të mia.

Dënimi im, edhe pse fajtor pa faj, kishte marrë trajtat e një dënimi të përjetshëm, aq sa edhe sot më ngjan vetja me Zhan Varzhanin e “Të mjerëve”, të Hygoit. Madje më është dukur gjithmonë se “dalja në botë” ka qenë përherë pronë e disa personave të caktuar, partiakë, pushtetarë apo edhe të shkrimtarëve apo artistëve që dinë të kacavirren,… gjë që ia shpreha disa vjet më parë një funksionari të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë që erdhi në Athinë sa për të marrë “kontakte” me intelektualë të “diasporës tonë”!

Kështu që, më duhej të mbushja plot 70 vjet të jetës sime (të “pushkatuar” padrejtësisht!) që të më bëhej një ftesë krejt personale, dy javore, nga një miku im, shkrimtar në shtetin Virxhiania të SHBA-së dhe ambasadori amerikan në Athinë të më jepte menjëherë vizë njëvjeçare. Ky njeri i mjerë e fisnik quhet Petraq Pali dhe është djali i patriotit, sigurisht, folkloristit, historianit, poetit e Mësuesit të Merituar, Janko Pali nga Qeparoi, nga “fshati i kapedanëve”, i cili shkoi në “tokën e bekuar nga Zoti” për të gdhendur gurin me daltë e për të shkruar me penë libra për vendlindjen e tij të magjishme, buzë brigjeve të thepisura të Himarës.

“Porta e vogël e Amerikës”

Në Athinë, Lulëzim Mallaholi, ishte i pari shqiptar që hapi një agjenci turistike, ku unë do të “përplasesha” për të gjetur një linjë të lirë udhëtimi. Nuk do të vononte shumë që ai të përcaktonte përpara kompjuterit linjën e kompanisë holandeze: Athinë-Amsterdam-Washington.

E, ja ku u ngjita në qiellin e Athinës, duke i shkëputur sytë nga Akropoli e Olimpi grek me diell, për të hyrë pas katër orësh në mjegullajën e Holandës, ku aeroportin e Amsterdamit do ta gjenim të shtruar me qilimin e dëborës. Po nuk do të kisha kohë që të habitesha, ngaqë prej 150 pasagjerëve të aeroplanit KLM-165, policia vendase veçoi për verifikim vetëm mua dhe një grua nga Iraku, me kokën mbështjellë me shall. Pasi e rrotulluan nëpër duar pasaportën time në ngjyrë të kuqe dhe më bënë një varg pyetjesh, ata u bindën se unë nuk isha një njeri i rrezikshëm.

Kështu që, pas dy –tri orësh mua mu dha mundësia që të “fluturoja” mbi oqeanin Atlantik, duke ndjekur në monitorin e fiksuar tek shpina e karriges së përparme tërë itinerarin e rrugëtimit qiellor. Fenomenin e humbjes së natës gjatë rrotullimit të globit, do ta provoja mbi retë e bardha e të pafundme të oqeanit në shoqëri me “shtojzovallet e qiellit”, stjuardesat e hijshme që na shërbenin e vazhdimisht buzëqeshnin, për të na bërë sa më të lehtë udhëtimin e gjatë për në kontinentin e largët.

E megjithatë, “drithërima e frikës” do të na zhdukej vetëm kur në monitor të duken konturet e “tokës së bekuar” e nga dritarja e avionit “Boening” do të verifikoja peizazhin ndarës. Aeroporti Dallas D.C në Washington ishte ende larg, sidoqoftë “portat e Amerikës” ishin ende afër dhe, dy orë më pas, neve të 600 pasagjerëve, do të na dukej se po hynim nëpër “vrimën e gjilpërës”. Ndjesia ishte e çuditshme. Në vend që të lumturohesha, mu rishfaq edhe njëherë “fantazma e burgut”, me portën e hekurt. U vumë që të gjithë në radhë, për një, të heshtur.

Vegimi, të paktën për mua, ishte i tmerrshëm, sepse kur na rrasën brenda u hap një derë e madhe, që kur dolëm pas disa vjetësh, mezi po hapej një deriçkë, me shufra hekuri, fare e vogël, shoqëruar me kërcitjen e llozit të hekurt. Ndërsa këtu, në Amerikën e çudirave e të mrekullive të njerëzimit, ndoshta e kundërta e fenomenit. Vërtetë që “deriçka e hyrjes” ishte fare e vogël, përmes një kontrolli të imët verifikimi të çdo personi, si të ishim “delet” e Odisesë në daljen e shpellës së Posedonit, porse “drithërimën e frikës” tashmë e zëvendësonte ajo e grimit të brendshëm. Para nesh po hapej horizonti i gjerë e i madh, si një peizazh i mrekullueshëm. Xhunglaq e dikurshme që gjeti Kolombi e u verifikua më pas nga Ameriko Vespuçi ishte shndërruar në një tablo marramendëse të qytetërimit më të fuqishëm të botës së kulturuar.

Peizazhi i ri i “xhunglës”

Në shtetin Virxhinia, ku isha bujtës, mbretëronte një qetësi e freski e paparë ndonjëherë. Dhe gjithmonë të duket vetja se je në mesin e një pylli gjigand. Majat e pemëve janë përherë më të larta se shtëpitë dy a trekatëshe, që të gjitha prej druri e të ndërtuara me një arkitekturë të thjeshtë, estetike e funksionare, rrethuar nga gjelbërimi i përhershëm, zogjtë e shumtë, ketrat e kaprojtë, të cilët mund t’i shohësh fare pranë vetes kur shëtit i vetmuar. Zor se gjen në ndonjë vend tjetër të botës, ku mëllenjat sqepverdha, thëllëzat gjoksshkruara, ketrat e kaprojtë të mos kenë frikë nga njerëzit. Përkundrazi, i shoqërojnë ata sikur të ishin miq të mirë. Kur në autostradën e gjerë u shtyp aksidentalisht një kaproll që doli që nga pylli, u mblodhën aty me dhjetëra makina policie, gazetarë e kureshtarë të pikëlluar.

Më shpunë për të pirë një kafe në fshatin e dikurshëm të Lisburgut, i tëri prej druri e gati i paprekur gjatë dyqind vjetëve të fundit, sikundër ka qenë për kaubojsat e racës së bardhë. Një muze i vërtetë natyror, me ndërtesat administrative të drunjta, me zyrat e noterëve, argjendarëve e të sherifëve, po edhe me oborret ku lidheshin kuajt e mbaheshin karrocat. Këto të fundit ishin po aty, të lyera me një bojë të freskët, për t’u mos prishur nga reshjet e shumta.

Por më tej ndodhet qendra e re e banimit, po prej lënde druri, me banorë të qetë të të gjitha racave e kombësive. Kushdo, këtu, në zemrën e xhunglës së dikurshme ka shtëpinë e vetë, punën e vetë, makinën e vetë, (që e quan “mjet pune”). Pavarësia ekonomike e secilit, mirëqenia sociale, kultura e të jetuarit, liria e lëvizjeve dhe e shprehjes kanë krijuar me kohë atë që ne e quajmë “jetë demokratike” të një shoqërie kapitaliste të lulëzuar.

Ky peizazh i shkëlqyer, harmoni e plotë midis natyrës, banesave, ndërtesave administrative, e rrugëve të gjera, të shoqëron deri në qytet-shtetin e Washingtonit. Por ka edhe një rrugë për të vajtur atje, në “zemrën e botës”, nëpërmjet thellësisë së xhunglës së dikurshme, andej nga kalonin dikur karrocierët me kuajt e azdisur. Syri i njeriut, për më se një orë, nuk sheh gjë tjetër përveçse drurë tepër të lartë që kryqëzohen e harlisen me njëri-tjetrin, përrenj herë me ujë të paktë e herë me një ujë të bollshëm e të rrëmbyer, copëra qielli që mezi duken nga kurorat e gjelbra dhe vila të vetmuara që kridhen në qilimin jeshil të pyllit. Bëhesh edhe ti pjesë e pandarë e kësaj “bote të virgjër” që vetë Zoti e ka ujdisur.

Washingtoni të shfaqet papritur si një mrekulli e arkitekturës së djeshme me atë të sotme, ku veçohen menjëherë Kapitoli nga Shtëpia e Bardhë, mistere të harmonisë unike midis natyrës dhe mendjes së njeriut. “Xhungla moderne e qytetërimit”, le ta quajmë kështu, përbëhet edhe nga një ansambël i përkryer i godinave, bankave e ndërtesave sociale, që kanë midis tyre, obeliskun gjigand të Gjergj Uashingtonit, basenin e madh llamburitës të ujit dhe anash bregun e lulëzuar të lumit, kur pylli i qershive qe në kulmin e “shpërthimit” të vet. Dhe ngado, një mizëri njerëzish që nuk i “ngop” dot peizazhi i ri i qytetit më të freskët të botës dhe që magjepsen nën ato pemë të dendura, degët e të cilave, nuk lëshojnë asnjë fletë, po lulëzojnë vetëm lule …lule…lule!

Shkolla “Janko Pali

Nuk ishin më shumë se dhjetë fëmijë në studion e shkrimtarit Petraq Pali, i cili nën shembullin e të atit, që për një çerek shekulli “mbajti mbi supe” shkollën e Qeparoit, ngriti “mikroshkollën e gjuhës shqipe”. Petroja, i merakosur vinte re se fëmijët e tyre, të ardhur gjatë 10-15 vjetëve të fundit në shtetin Virxhinia, ndërkohë që po mësonin mrekullisht anglishten, gati po e harronin gjuhën e mëmës. Ndaj i mblodhi gjithë vogëlushët e rrethit familjar: Anën, Evën, Kosten, Nikon, e kështu me radhë. Mirëpo kur ra dëbora e parë, Ana, dhjetëvjeçare, për të mos u vonuar në shkollë, vrapoi dhe… dhe u rrëzua. Ajo theu pirunin e këmbës. Tani vjen aty me paterica. Pas saj ecën me të shpejtë Nikoja i vogël pesëvjeçar.

-Ç’bën këtu Niko?, – e pyes unë.
-Mësoj gjuhën shqipe!
-Sa gërma ka alfabeti?
-Tridhetë e gjashtë!
-Sa ngjyra ka flamuri ynë?
-Di…. kuq e zi.
-Si e ka emrin shkolla?
-Zhanko Pali.

Fëmijët që mësonin shqipen në Amerikë, përshëndetën mësuesin e tyre dhe dolën njëri pas tjetrit nën kujdesin e zonjës së shtëpisë, Kristinës (për të mos rrëshqitur nga shkallët e drunjta), as që e njihnin gjyshin e tyre Janko. Po, edhe unë, e njihja atë vetëm nga rrëfenjat e të tjerëve për të, si edhe nga një monografi e tij për Artistin e Popullit, Neço Muka, botuar nën kujdesin e të birit, të cilin e kisha përpara e po e vështroja me admirim. Si të m’i “kapte fijet e mendimit”, ai hapi një pako të madhe prej kartoni, të cilën e kishte sjellë nga përtej oqeanit. “Këtu, – tha ai, – janë të gjitha dokumentet e tij, që presin të seleksionohen. Për mua është një thesar i vërtetë…, punë ngulmuese gjashtëdhjetëvjeçare, histori e gjallë… shiko se sa me kujdes i ka shkruar, i ka mbajtur, i ka radhitur e i ka lidhur me duart e veta. Botimi i dytë, pas asaj të Neço Mukës, që ai e kishte mik personal e idhull të tij, ishte “Historia e Qeparoit”. Pret radhën që të botohet libri monografik “Historia e Shkollës Shqipe”.
Gjithë atë mbrëmje, gjer në orët e pasmesnatës, unë do të lexoja “Historinë e Qeparoit” që më tërhoqi vëmendjen për vlerat historike e letrave, për vërtetësi, konkretësi, thjeshtësi dhe për një stil të rrjedhshëm.

“Bijtë e Shqipes”

Shoqata “Bijtë e Shqipes” ishte një surprizë më vete, pas kësaj mësonjëtoreje të vogël. Ajo ndodhej në qytetin e madh Filadelfia dhe qe si një kënd shqiptarësh “në tokën e bekuar nga Zoti”, ku ata mblidheshin për të parë e takuar njëri-tjetrin dhe ndjenin ngrohtësinë e vendlindjes. Këtu qe “një copë tokë shqiptare”, e blerë prej tyre, e stolisur me flamuj e foto nga Shqipëria. Në krye të shoqatës janë gazetari i njohur Llazar Vero e shkrimtari Vlash Fili. Atyre nuk u shpëtonte asnjë rast që ka të bëjë me festat kombëtare, me jubile të ndryshme e me botimet letrare në Shqipëri e në Amerikë. Prej kohësh ata kishin planifikuar zhvillimin e një tubimi letrar për novelën “Gruaja me të zeza”, të Petraq Palit, por disa ditë më parë, prej një emisioni televiziv të TVSH-së kishin mësuar diçka edhe për vuajtjen time atje, në pragun e një 70-vjetori që më ishte afruar papritur.

Kaq mjaftonte që ata të sajonin një veprimtari të përbashkët e të na sillnin nga shteti i Virxhianias përmes Pansivalnisë, duke udhëtuar me një makinë të marrë me qira e të orientuar nga një aparat, montuar afër timonit që na rrëfente rrugët e që Petroja e quante: “Magelani”! Në njoftimin e bërë në gazetën “Iliria” që botohet në Nju Jork, shoqata “Bijtë e Shqipes” synonte që t’i mblidhte “bijtë e vetë” nga gjithë Amerika, duke i joshur ata se do të nderoheshin pas kësaj edhe me një darkë të përbashkët, përgatitur e shtruar prej zonjave shqiptare të Filadelfias.

Dhe, me të vërtetë, aty, në atë “copëz shqiptare” të Filadelfias, u mblodhën afro njëqind dashamirës nga e gjithë Amerika. Vetëm nga Nju Jorku mbërritën tri vetura, midis të cilëve ishte poetja e gazetarja, “zonja e Manhatanit” Kozeta Zylo (me bashkëshortin) profesor i Akademisë së Shkencave të Nju Jorkut, Skënder Kodra, ish-sekretar i “Vatrës” (e tani i Lidhjes së Prizrenit në mërgim”, piktori Astrit Tota, poetja Eleonora Gjoka, letrari Edmond Ismailati e shumë të tjerë. Ndërsa bashkëfshatari im Mitro Kosta erdhi aty me gjithë familjen e tij. Për më se një orë u fol vetëm për libra, u mbajtën kumtesa letrare e u recituan poezi. Në sallën e ndërmjetme ishin ekspozuar librat e autorëve të pranueshëm, si edhe revista letraro–artistike “Pegasi”, e cila për më se një vit qarkullon edhe në SHBA. Ndërsa në sallën e poshtme, zonjat shqiptare të Filadelfias kishin shtruar tavolinat me të gjitha të mirat, ku nuk do të mungonte as rakia jonë e fortë.

“Bronz”, – lagjja shqiptare e njujorkezëve

Në Nju Jork mbërrita në mesnatë, i zhytur në kaosin e dritave e në reflekset e tyre, që unifikonin qiellin me sipërfaqen e oqeanit, duke e humbur nocionin real të gjërave. Po do të ecja edhe dy orë të tjera përbrenda këtij qyteti gjigand, pa anë e pa fund. Ideja ime se mund të takoja miqtë e mi shkrimtarë e artistë u fashit pa aguar dita. Brenda një jave pata arritur të lexoj mjaft libra të rinj të Naum Priftit, të Gjekë Marinaj, të Valter Lazrit, të Kozeta Zylos, të Vlash Filit, të Raimonda Moisiut, e Albana Mëlyshit, me dëshirën e madhe se do t’i gjeja, gjë që mbeti e parealizuar, përbrenda kornizës fantazmagorike të qytetit të madh.

Po do të ngushëllohesha, në një gjysmë dite të tërë në shtëpinë e mikut tim të vjetër, Naum Priftit, ku folëm gjatë për letërsinë, për “Teatrin në kohën e krizës” (një nga librat e tij) dhe për atë periudhë të tmerrshme që kaluam dhe që ai e ka hedhur në librin e ri, voluminoz, “Midis dy kohësh”. Gjysmën tjetër të ditës do ta kaloja në studion e piktorit Zoi Shyti, pikërisht në lagjen “Bronz”, ku jetojnë e punojnë shumë shqiptarë. Nuk më bënë dhe aq shumë përshtypje pikturat e tij, midis të cilave gjeje vlera të artit realist që vazhdimisht është i kërcënuar nga rrymat e sotme të abstragimit ekstrem, se sa jeta rrezik-mbajtëse e këtij artisti të arratisur, vëllait të aktorit të Teatrit Kombëtar, Ilia Shyti, i cili mbeti për shumë vjet i ngacmuar, i kërcënuar, i trembur e kokulur gjersa vdiq pa e parë vëllain e tij që kërkonte nëpër botë “lirinë pa cak” të krijimit…

Por ja që ndodhesha në lagjen “Bronz”, ku do të takoja dhe shumë shqiptarë të tjerë, të njohur, të panjohur. Ata i mblodhi aty me pak telefonata piktori Astrit Tota, Artisti i Merituar i shumë filmave shqiptarë, si gjithmonë i qeshur e me një “bon sens” të shkëlqyer, të cilin poeti e publicisti Gjekë Marinaj kur e portretizon në intervistat e tij, e quan me të drejtë “artisti përbrenda artistit”. Nuk do të vononte të vinte paskëtaj fotoreporteri Dritan Hoxha, gazetarja Mimoza Dajçi, Ademi (kameraman i televizionit të Nju Jorkut), pjesëtarë të shoqatës “Vatra”, të “Lidhjes së Prizrenit” dhe të ansamblit “Rugova”… Dhe, për çudi, këtu në lokalin “Dukagjini”, të lagjes “Bronz”, e ndjeva veten si në shtëpinë time, pa u kujtuar se kisha kaluar një oqean të tërë.

Në kërkim të një varri

Mitro Kosta, në shtëpinë e të cilit do të isha bujtës në Nju Jork, do të më rrëfente historinë rrënqethëse të të atit që u end anëve si emigrant i viteve tridhjetë dhe të gjyshit që i la kockat në Boston në vitin 1938. Kthimi i përkohshëm i të birit, Themistokli Kostës, në vitin 1937, do të kishte pasoja të dhimbshme, mbasi ai nuk do ta shihte më as të atin e as Amerikën, po do të rropatej në brezaret e Lukovës me hijen e dyshimit në kurriz (gjoja spiun i amerikanëve) gjersa vdiq i brengosur. Ai kishte një pamje të hijshme, me atë fytyrë të rregullt e të gjerë prej artisti e me atë kapele republike, paksa të kthyer mbi ballin e lëmuar. I nipi, që mbante emrin e tij, provoi të kërkonte kanalin e Korfuzit me not, po u rraskapit, u diktua nga një anije e huaj dhe u kthye në Shqipëri, për të “provuar” torturat e burgut.

Ëndrra amerikane paskësh qenë e ëmbël, po tepër e rrezikshme. Atë do ta realizonte vetëm miku im, Mitro Kosta, që erdhi në këtë lagje të skajshme të Nju Jorkut me gjithë familjen e tij. Mbeti vetëm i vëllai, Koço Kosta, poeti i cili emigroi në Greqi, për ta pasur disi më afër vendlindjen. Kuvendojmë me Mitron, karshi njëri-tjetrit e pimë raki gjer në orët e vona. Andej nga mesnata ai më hedh mbi tavolinë një tufë fotografish me pamjen e një varri… u rrënqetha. Ai nis të më tregojë i trishtuar se kishte gjetur më në fund varrin e gjyshit, në varrezat e Bostonit, pas një kërkimi të lodhshëm disaditor. Mbi pllakën e gurit, pas asnjë kryq, qe shkruar me daltë emri i tij. Kostandin Mërtiri. Dhe një pirg me dhe… As që mund të mendohej se emigranti i dikurshëm do të kishte një varr, 70 vjet më parë, pikërisht në atë kohë kur unë vendosa të vij në këtë botë të çuditshme e të mbingarkuar me ëndrra, vuajtje e zhgënjime.

Mbresa udhetimi nga Miho Gjini-ripublikim